Ambasada e Shqipërisë në Romë hap vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Dy veprimtari të njëpasnjëshme, më 16 janar, ceremoni përkujtimore pranë monumentit të heroit kombëtar në sheshin Albania në Romë e një ditë më pas një konferencë me titull “Scanderbeg, l’eroe che unisce"
 

Logoja zyrtare e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Romë, 14 janar 2018 – Në nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij (17 janar 1468), Qeveria shqiptare ia ka dedikuar atij vitin 2018. Më saktësisht, vendimi i parë i qeverisë Rama 2, i datës 13 shtator 2017, thotë që “Periudha 28 nëntor 2017 – 28 nëntor 2018 shpallet “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Ambasada e Shqipërisë çel zyrtarisht Vitin kushtuar Skënderbeut, ditën e martë, më 16 janar. Në orën 16:00 në sheshin Albania në Romë pranë monumentit të Heroit tonë Kombëtar, organizon ceremoninë e përvitshme në përkujtim të Skënderbeut.

Të mërkurën, më 17 janar, në orën 16:30, pranë Kolegjit Papnor Grek Sant’Anastasio (Via del Babuino, 149, Romë) do të mbahet një konferncë kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar, me titull “Scanderbeg, heroi që bashkon”.
Do të marrin fjalën rektori i Kolegjit Papnor Grek Sant’Atanasio Giovanni Xanthakis, Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, profesorët Italo Fortino dhe Fulco Lanchester. Do të moderojë profesor Domenico Morelli, president i Komitetit kombëtar federativ të minorancave gjuhësore të Italisë (CONFEMILI). Konferenca do të përshëndetet me një performancë muzikore të violinistit Elvin Dhimitri.
Në mbyllje të saj do të shkohet në këmbë në Pallatin Scanderbeg ku do të ngrihet një dolli.

Në të dyja veprimtaritë janë të ftuar të marrin pjesë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, arbëreshë, miq e dashamirës italianë.