“Amnistia” korr tre çmime në Festivalin e Kinemasë Europiane të Lecces - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Filmi i regjisorit shqiptar Bujar Alimani kthehet me tre çmime nga festivali i Kinemasë Europiane edicioni i XII  i të cilit  i cili u mbyll  të shtunën më 16 prill në qytetin jugor të Italisë. Tre çmimet, që e bëjnë Amnistinë filmin më të vlerësuar të këtij edicioni, përfshijnë çmimin prestigjioz FIPRESCI dhënë nga juria e federatës ndërkombëtare  të kritikëve kinematografikë, çmimin Cineuropa, dhe çmimin e lakmuar të Jurisë, ky i fundit ex equo me filmin polak Erratum.

“Amnistia”  produksion shqiptaro-greko-francez është filmi i parë me metrazh të gjatë e regjisorit Alimani, që e ka realizuar brenda një periudhë shumë të shkurtër, me buxhet të ulët dhe me një staf të rinjsh. Filmi i frymëzuar nga një ngjarje e kronikes shqiptare sjell në ekran marrëdhënien e vështirë të dashurisë mes një gruaje e një burri  të cilët njihen rastësisht gjatë  vizitave të përmuajshme në burg ku gjenden partnerët e tyre . Protagoniste e filmit është  aktorja  Luli Bitri e cila prej vitesh jeton në Torino.

“Amnistia”, ende i pashfaqur për publikun e gjerë,  ka marrë pjesë edhe në seksionin Forumi Ndërkombëtar të festivalit të Berlinit të zhvilluar shkurtin e kaluar. Filmi i parë shqiptar në historinë e festivalit, Amnestia  u prit me duartrokitje të gjata në të tëra shfaqjet e tij në Berlinale,  pati kritika entuziaste nga shtypi i huaj dhe ishte edhe fitues i një prej çmimeve të seksionit Forum.

Me çmimin kryesor të Festivalit, Ulliri i Artë, është vlerësuar filmi serbo-gjerman “The Woman with a broken nose” e Srdan Kolijevic. Çmimi për skenarin më të mirë i ka shkuar Jon Garagno-s dhe Josè Mari Goenaga-s për filmin “For 80 days” (produksion spanjoll).