Anagnosti fiton Çmimin Special në Medfilm - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Dhimitër Anagnosti fiton Çmimin Special në Medfilm, Festivali Mesdhetar i filmit në Romë

Pas çmimit ndërkombëtar të Regione Lazios më 29 shtator 2006 për karrierën e tij artistike e politike, kthehet sërish me një trofe nga Roma në Tiranë Dhimitër Anagnosti. Filmi i tij “Gjoleka djali i Abazit” në konkurimin zyrtar të Medfilm Festival që u zhvillua në Romë nga 5 më 12 nëntor 2006, fiton çmimin e dytë të festivalit, “Menzione Speciale”.

Juria ndërkombëtare e festivalit, e përbërë nga aktorja Lina Sastri, kritiku kinematografik Bruno Torri, regjisori Rachid Benhadji, aktori Enrico Lo Verso dhe gazetari i “Botës shqiptare” Roland Sejko, votuan filmin e Anagnostit “për sensin poetik me anë të të cilit rrëfen konfliktin individual dhe kulturor ndërmjet të vjetrës dhe së resë, në brendi të shoqërisë shqiptare të djeshme dhe të sotme”.

Filmi i u shfaq në Cinema Trevi ku u ndoq nga shikues shqiptarë e të huaj. I emocionuar, regjisori 70 vjeçar, një ndër baballarët e kinematografisë shqiptare tërhoqi çmimin nga drejtuesja e festivalit Ginella Vocca në ceremoninë e zhvilluar në Sallën e Auditorit të Romës në Via della Conciliazione. Ambasadori shqiptar në Itali Llesh Kola dha një darkë për nder të regjisorit shqiptar. Çmimi i parë “Amore e Psiche” i festivalit mesdhetar iu dha filmit spanjoll “El metodo”. Në edicionin e dy viteve më parë çmimin e parë e pat fituar filmi shqiptar “Nata pa hënë” i Artan Minarollit.

Ndërsa çmimi “Lazio mes Europës dhe Mesdheut” që regjisori mori në shtator, është pjesë e një nisme të Krahinës së Lazios që, edhe pse zë fill si nismë lokale, nuk e fsheh ambicjen për të marrë përmasa ndërkombëtare.   I paraqitur në katalogun e çmimit si “regjisori më i rëndësishëm shqiptar”, Anagnosti u nderua për  kontributin e tij në kinematografinë shqiptare,  si njeri që ka ditur të bëjë art edhe në  ditët pa liri të diktaturës, por edhe për karrierën e tij politike: ka qenë deputet i kuvendit të parë pluralist shqiptar dhe Ministër i Kulturës i qeverisë Meksi. I shoqëruar nga e shoqja e tij, aktorja e mirënjohur Roza Anganosti, dhe nga funksionarë të ambasadës shqiptare në Romë, Anagnosti e mori çmimin në ceremoninë e zhvilluar në Kompleksin e madh të Vittorianos, ndërtesa madhështore në qendër të kryeqytetit italian e njohur si L’Altare della Patria ku Catherine Deneuve ishte kumbare e mbrëmjes ceremoniale. Anagnosti fitoi çmimin për audiovizivët, ndërsa çmimet e tjera, gjithsej tetë ndër 22 vende pjesëmarrës, u ndanë për kontribute të rëndësishme në fushën politike, letrare, kërkimore, shkencore, e të tjera. Mes të nderuarve me çmim edhe ish-administratori i Kosovës Bernard Kouchner për “Paqen dhe vëllazërimin”, ndërsa një çmim i veçantë “Për Dialogun” iu dha shkrimtarit Tahar Ben Jalloun.

Bota Shqiptare, nëntor 2006