Roland Sejko tërheq çmimin ‘David di Donatello’ për dokumentarin e tij ANIJA - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Për Akademia Italiane të Kinematografisë që jep çmimin ‘David di Donatello’, Anija është dokumentari më i mirë i vitit. Nesër ceremonia e dhënies së çmimeve, që transmetohet drejtpërdrejt në RAI 1 në orën 21.20

Romë, 13 qershor 2013 – Dokumentari Anija i regjisorit Roland Sejko merr çmimin prestigjoz David di Donatello. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve David di Donatello do të mbahet nesër, më 14 qershor, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rai1, në orën 21.20.

David di Donatello mund të konsiderohet ekuivalenti italiani Oscar-it. Nga 1956 jepet çdo vit nga Akademia e Kinematografisë dhe është vlerësimi më i lartë për kinematografinë në Itali.

Anija u rendit edhe ndër pesë dokumentarët më të mirë për çmimin Nastro d’Argento që jepet nga gazetarët kinematografikë.

I prodhuar nga Istituto Luce Cinecittà, filmi ka nisur rrugën e tij nga festivali ndërkombëtar i filmit i Torinos dhe nga marsi po shfaqet në kinema, duke mbushur plot sallat e qyteteve të ndryshme italiane, diçka e rrallë për filmat dokumentarë.

Filmi i Roland Sejkos, që rrëfen eksodin shqiptar të viteve 90 drejt brigjeve italiane, bazohet mbi dokumente të panjohura, mbi foto dhe xhirime të gjetura në arkivat e filmit në Shqiperi, Itali, Francë dhe Angli, dhe në intervista personash që kanë përjetuar atë epokë në vetë të parë. Ndryshe nga vepra të tjera që kanë trajtuar të njëjtën temë, për herë të parë në filmin “Anija” vëmendja përqendrohet në arsyet që detyruan shqiptarët të linin në masë vendin e tyre dhe rrëfen më pas jetën e disa prej atyre mijërave që u vendosën në Itali e që sot jetojnë nga ky breg apo tjetri i Adriatikut.

Anija është pritur shumë mirë dhe nga kritika që ka vlerësuar jo vetëm faktin “që më në fund eksodi tregohet nga dikush që e ka përjetuar atë personalisht “ por edhe pikëvështrimin e regjisorit, aftësinë e tij për të rrëfyer shpresën, nostalgjinë, frikën nga një e ardhme e panjohur, emocione që prekin çdo emigrant, sot dhe dje, i çfarëdo kombësie ai qoftë.

Lexo edhe:
ANIJA di Roland Sejko: cosa scrivono i media
Continua il viaggio di Anija, nave sulle onde della nostra Storia
Anija, la “mia” nave degli albanesi
Anija ime quhej 'Legend'

Nga ceremonia e ndarjeve te çmimeve David di Donatello 2013:

 

Advertisement