Artistë nga Shqipëria në musical për Amnesty International - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Më 15 dhe 16 janar në Gran Teatro në Romë do të jepet premiera e musikalit me titullin “La Farfalla Lily” (Flutura Lily). Artistët e rinj, të zgjedhur me shumë kujdes, janë të përgatitur në tre disiplina: kanto, balet dhe aktrim. Në trupën prej 50 elementësh, ka dhe balerinë të ardhur nga Akademia e Tiranës dhe kampionë ndërkombëtarë Hip hopi e Break dance. Në skenë dhe talente të reja të dalë nga programet televizive si Amici (Mediaset), Wanna dance (Boing) dhe Academy (Rai).

Projekti, i lindur nga një ide e shkrimtares Tina Simonelli, është zhvilluar duke ndjekur një linjë didaktike nga vetë autorja dhe stafi i saj.

Protagonistja, Flutura Lily që në krahët e veta ka mbledhur ngjyrat e ylberit, së bashku me mikun e saj ketrin “Pipì Scotì” dhe shokët e tjerë të pyllit – bletë, zogj dhe flutura – do të mundohen të ndihmojnë fëmijët që jetojnë në “botën e varfër”. Kafshët, të shtyra nga një dëshirë e vetme, do të mundohen të transportojnë mjaltin në ato vende që janë shkatërruar nga lufta dhe uria, por më parë duhet të mundin një armik të fortë: Batodà, zogu hije.

Musikali, i krijuar me idenë që të nxisë spektatorin – të rritur apo fëmijë – drejt reflektimit mbi vështirësitë në disa vende, me shumë thjeshtësi jep disa mësime, duke ngritur lart vlerën e miqësisë dhe të dashurisë, të paqes dhe vëllazërimit.

Koreografia është e Sonny Sampson dhe e balerinit të njohur shqiptar Ilir Shaqiri, ndërsa regjia është e Claudio Insegno, një prej regjisorëve më në zë në këtë zhanër. Skenografitë janë realizuar nga një grup skenografësh nga më të zotët në Itali. Ato do e çojnë spektatorin në botën e Fluturës Lily, nga lëndinat me lule të mëdha deri brenda hojeve, duke përshkuar pyje, liqene e fshatra, duke arritur bile deri në qiellin plot yje. Muzika është e krijuar posaçërisht dhe shkon nga minueti klasik tek ajo house, duke kaluar tek breakbeat, rroku, fank i viteve shtatëdhjetë e hip hop.

Por ideja e Fluturës Luly nuk mbaron me uljen e perdes në fund të shfaqjes. Ajo është e lidhur me fushatën e Amnesty International kundër varfërisë dhe nëpërkëmbjeve. Për çdo biletë të shitur, një euro i shkon kësaj organizate. Shfaqja do të vazhdojë në Napoli, Firence, Milano dhe Montekarlo.