ASD Scanderbeg, kampione e provincës së Parmës - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Skuadra e futbollit e shoqatës Scanderbeg të Parmës është fituese e kampionatit provincial për amatorët e kategorisë së tretë.

Romë, 6 maj 2011 – Tre vjet nga themelimi ASD Scanderbeg fiton kampionatin provincial të Parmës të kategorisë III. E ngritur në 2008-tën me iniciativë të shoqatës Scanderbeg Parma, skuadra ka në gjirin e saj 25 lojtarë nga të cilët 21 shqiptarë dhe të tjerët të huaj.  Në tre vjet jetë skuadra ka parë vetëm rritje: është renditur e teta në kampionatin 2008-2009, e pesta në 2009-2010 dhe këtë vit, falë 14 fitoreve, 5 barazimeve dhe vetëm dy humbjeve fiton kampionatin një javë para përfundimit të tij.

 “Falë djemve që luajnë dhe trajnerit tonë Edmondo Grisenti, arritëm një rezultat vërtet të shkëlqyer. E prisnim prej tre vjetësh” na thotë Julian Alimadhi, drejtuesi sportiv i skuadrës Scanderbeg.

Synimet për të ardhmen? “Të arrijmë të marrim nja 3-4 lojtarë që na duhen – thotë Juliani – dhe të përfaqësohemi denjësisht edhe në kategorinë II në rang krahine”.

ADS Scanderbeg është e vetëfinancuar. Sponsori kryesor i saj është zv.presidenti i klubit, sipërmarrësi Shpend Ndreu. “Këtë vit na ka dhënë një dorë edhe komuna – vazhdon Juliani – duke na lënë në dispozicion kundrejt një qiraje të ulët një fushë ku të mund të stërvitemi. Do ta kemi për gjashtë vjet”.

Skuadra, veçanërisht javët e fundit kur ka qenë gjithnjë në krye të renditjes, ka ndier mbështetjen e publikut shqiptar: “Kemi mbi njëqind tifozë që na ndjekin edhe kur nuk luajmë në fushën tonë. I ftojmë të gjithë të dielën më 8 maj për të festuar së bashku pas ndeshjes së fundit të kampionatit”.

Festa e të dielës është vetëm një nga veprimtaritë që shoqata Scanderbeg ka në program për këta muaj verorë: “Muajin e ardhshëm na pret festa e fëmijëve, më pas Etnogusto e të tjera akoma” thotë Durim Lika një nga organizatorët e shoqatës Scanderbeg.

k.b.