Atmosferë hareje e feste - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Nis në Parma java e festimeve për 99-vjetorin e Pavarësisë e organizuar nga Scanderbeg. Çelet më 20 nëntor ekspozita fotografike “Të zbulojmë Shqipërinë – panoramë e një historie në vazhdim”
Reportazh nga Anila Kadija

Parma, 22 nëntor 2011 - Atmosferë hareje, janë aty të rreshtuara me ngjyrat më të bukura që natyra mund të përqafojë jetën, fokusimet e shijes artistike në harmoni me mjedisin,  bëjnë të mbetesh e shtangur përpara bukurisë së tokës së shqipeve.

Të mbërthyer përpara një peizazhi të tillë, një çift parmez, besoj se kishin ardhur thjesht nga një kuriozitet i nxitur nga reklamat e para diku në lagjen ku jetojnë, ndër të parët që vizituan ekspozitën fotografike për të cilën po ju shkruaj, qëndronte me kuriozitetin dhe magnetizëm në sy përpara atyre mesazheve të kodifikuara në natyrë. Iu afrova dhe ndjeva nevojën t’u flisja për Shqipërinë time.

Ja ky është qyteti i biçikletave, i kulturës, i luleve, Shkodra e bukur. Atje më tej ai i njëmijë dritareve, si një diamant, që shkëlqen natën. E skalitur në gurë gruaja e bukur “Kala”, kështu tregon një gojëdhënë për duelin e djemve që u kthyen në male dhe vajzës së shndërruar në kala, me  Osumin e rrëmbyer, lotët e saj të kthyera në lumë. Qyteti i bashkëjetesës paqësore i feve dhe besimit, Berati!

Vlora, me transparencën e detit dhe perëndimet nostalgjike. Pogradeci me liqenin e ngrirë të jep përshtypjen e një skenë magjike që pret mjellmat të vallëzojnë lirikën. Butrinti i perëndive dhe sirenave me gurët e lashtë si baladat e poetëve antikë. Korça elegante e shkronjave. Plazhet e Durrësit, qyteti i siluetës së dashurisë të shkruar mbi rërë.

Një shtëpi e veçuar me çati të kuqe në mes një fushe me grurë, peizazh me penel do të mendoni, thjeshtësisht paqe në një fshat bregdetarë që të lë pa frymë nga harmonia e ngjyrave që ka kjo foto, në horizont deti dhe qielli, kanë përqafuar njëri tjetrin.

Tirana e bukura zonjë me hijeshinë e denjë të një kryeqyteti. Kruja e trimërisë. Me traditën e lashtë të kështjellave e përtërirë nga të gjithë ne që ndihemi bij të Skënderbeut.

Në qoftë se nuk kam përmendur ndonjë peizazh kujtoj “bregore bukuroshe, lumenj të kulluar, çuka, brinja, male, gërxhe dhe fusha të gjelbëruara”. Më mbërthen nostalgjia dhe ndihem e lehtë si era që fluturon në ato vise ku ne të gjithë kemi një pjesë të zemrës tonë.

Nuk kaloi shumë dhe ekspozita mori formën e një oaze njerëzish. Kjo ishte dita e parë e hapjes së javës së kulturës shqiptare në Parma që shoqata “ Scanderbeg” organizon si çdo vit me rastin e  festës së Pavarësisë.

Ekspozita fotografike “Të zbulojmë Shqipërinë – panoramë e një historie në vazhdim” është e hapur për gjatë gjithë periudhës së aktiviteteve të javës së kulturës dhe pret vizitorë në  ditët në vazhdim.