Bedri Dedja: shkrimtari, edukatori, babai - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Vepra për fëmijë e shkrimtarit Bedri Dedja në 80-vjetorin e lindjes
Një takim i organizuar nga shoqata Art@Mia dhe i promovuar nga Portici di carta me Fondacionin për Librin, Muzikën dhe Kulturën do të mbahet në Torino në Villa Amoretti, të premten më 17 shtator 2010 në orën 18.00


Takimi dëshiron të valorizojë letërsinë shqiptare të viteve ’80, dhe të afrojë brezat e rinj (me origjinë shqiptare e italiane) me prodhimtarinë letrare të vendeve Ballkanike, në veçanti me letërsinë e Bedri Dedjas (1930-2004).
Bedri Dedja ka shkruar mbi 60 vepra letrare për fëmijë dhe të tjera për të rritur. Akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë, ai ka qenë autor me kreativitet kompleks dhe të larmishëm: poet e prozator, dramaturg, përkthyes, gazetar dhe kritik, studiues i historisë së pedagogjisë dhe i historisë shqiptare për fëmijë. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe fitues i shumë çmimeve letrare.
Në mbrëmjen gala të organizuar në Torino do të marrin pjesë shkrimtarë, gazetarë dhe artistë që do të kujtojnë Bedri Dedjan me lexime nga veprat e tij, diskutime dhe muzikë, në një ambient të veçantë siç është Vila Amoretti.

Në takim, që do të ketë për moderator Blenti Shehajn, president të shoqatës Art@Mia, do të marrin fjalën:
Edlira Dedja, e bija e shkrimtarit,
Caterina Zuccaro, gazetare RAI dhe përkthyese,
Gerarta Zheji Ballo, gazetare shqiptare,
Artin Picari, aktor,
Paolo Messina, drejtor i Biblioteche Civiche Torinesi
Do të shoqërojë në piano Danja Dedja, mbesë e shkrimtarit, dhe ansambli muzikor Creattrio që do të interpretojë pjesë nga kompozitorët e mëdhenj

Shoqata Art@Mia
Shoqata kulturore italo-shqiptare Art@mia ka lindur në shkurt të vitit 2008 në Torino me iniciativë të një grupi operatorësh kulturorë, artistësh dhe muratorësh të artit bashkëkohor. Shoqata promovon veprimtari artistike të çdo zhanri. Disa nga objektivat e shoqatës janë: ndjekja dhe pasqyrimi i botës së Brezave të dytë, edukimi artistik i të rinjve me origjinë të huaj, mbështetja dhe promovimi i artistëve të inj të brezit të dytë në territorin piemontez, krijimi i pikave të kontaktit mes kulturës së origjinës dhe formave të reja të të shprehurit bashkëkohor të artit, letërsisë dhe teatrit.
“Creattrio” ka lindur nga dëshira e përbashkët e tre muzikanteve profesioniste për të përcjellë, përmes muzikës klasike (e jo vetëm), elemente që bashkojnë botën e muzikës me atë femërore, të përbërë nga krijimtaria, frymëzimi dhe bukuria. "Creattrio" përbëhet nga: Diana Subashi (violinë), Cristina Laganà (pianoforte) e Matilda Colliard (violonçel).

Bibliotekat qytetare të Torinos
Sistemi bibliotekar qytetar i Torinos përfshin një bibliotekë qendrore, 15 biblioteka zonash, 2 biblioteka burgjesh, 8 pika të huazimit të jashtëm dhe një qendër-rrjet që merret me blerjen dhe trajtimin fizik të dokumenteve të dedikuara selive të zonave.
Nga viti 2009, pranë të gjitha selive të bibliotekave qytetare gjen rafte me tekste në gjuhën shqipe, drejtuar qoftë fëmijëve qoftë të rriturve; autorët më të rëndësishëm shqiptarë janë në dispozicion të lexuesit në gjuhën origjinale. Bibliotekat torineze përbëjnë një vend-takim të rëndësishëm mes kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në territor.