Bienalja XVIII e Mesdheut gjen Shtëpinë e saj në Shqipëri - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Nga sot deri më 9 maj, 230 artistë të rinj nga 23 vende të Europës dhe Mesdheut, do të kthejnë Tiranën dhe Durrësin në një qendër ndërkombëtare arti, të gjallëruar nga veprimtari të shumta që do të mbahen në kuadrin e Bienales së Mesdheut të artistëve të rinj që këtë vit ka si temë Shtëpinë

Tiranë, 4 maj 2017 - Për herë të parë Shqipëria është vendi pritës i Bienales së artistëve të rinj nga Evropa dhe Mesdheu, veprimtari shumëdisiplinore që çdo dy vjet mbahet në një vend të Evropës e ku artistë të rinj, 18-34 vjeç, sjellin vepra e performanca bashkëkohore sipas temës së propozuar nga Drejtori Artistik.  

Edicioni i këtij viti, i promovuar nga BJCEM - Association Internationale pour la Biennale des Jeunes Créateurs d'Europe et de la Méditerranée, i organizuar nga Ministria shqiptare e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Durrësit, Krahinën e Puglia-s, sjell në Shqipëri 230 artistë të rinj nga 23 vende të Evropës dhe Mesdheut, që ministrja e Kulturës Kumbaro konsideron "23 ura dashurie për “Mediterranea 18” që lidhin Evropën dhe Mesdheun me Tiranën dhe Durrësin duke i kthyer këto të fundit në një shtëpi të madhe mikpritëse idesh, vizioni dhe emocioni”. Ndër këta artistë, 32 përfaqësojnë Shqipërinë dhe 8 përfaqësojnë Kosovën.

Tema e këtij edicioni të Bienales së artistëve të rinj të Mesdheut dhe Europës  është “Shtëpia” e përbërë nga 4 elementë: Histori + Konflikt + Ëndërr + Dështim, që drejtori artistik i Bienales Driant Zeneli shpjegon kështu: “… Historia, me të cilën nënkuptohet bagazhi i madh i historive personale, të ngulitura në kujtesë apo të harruara; konflikti, si gjendje njerëzore ndaj hapësirës fizike ku ne bashkëjetojmë; ëndrra si projekti i shtëpisë, si e drejta themelore e njeriut për të qenë të lirë të zgjedhim dhe të dëshirojmë shtëpinë tonë, reale apo imagjinare; dështimi, si rezistenca e brendshme e përpjekjeve të ndryshme, tjetërsuar përgjatë rrugës në kërkim të shtëpisë së ëndrrave”.

Ekipi i kuratorëve vjen nga vende të ndryshme e secili prej tyre ka mbi shpatulla përvojë të vyer në disiplinën e tyre përkatëse:

Drejtor Artistik i Bienales është Driant Zeneli;
Jonida Turani ka kujdestarinë e Arteve të Aplikuara;
Maja Ciric, kujdestarinë e artit vizual;
Ema Andrea, kujdestarië e Performancës;
ALA Group / Maria Rosa Sossai të Krijimit Letrar;
Alban Nimani & Rubin Beqo / Qendra Tulla të Kuadrit të Muzikës;
Eroll Bilibanit i është besuar kujdestaria e Filmit.

230 artistët e  përzgjedhur do të ekspozojnë në Tiranë dhe Durrës nga 4 deri në 9 maj 2017, në shumë hapësira nga më të ndryshmet e të pazakontat si Pazari i Ri, Universiteti Metropolitan, Vila 31-ish rezidenca e Enver Hoxhës, Gallery 70, Shtëpia e Gjetheve, Shtëpia e Helidon Gjergji, Bunk'Art 2, Reja - The Cloud Installation, Kulla e Sahatit, Parku Rinia, Amfiteatri i Durrësit.

Ceremonia e hapjes së Bienales XVIII të Mesdheut  do të mbahet sot, 4 maj, në orën 18:00, në Parkun Rinia të kryeqytetit.

Ekspozitat do të jenë të hapura për publikun deri më 28 maj 2017.

Vigjilja

Diçka e veçantë parapriu ditën e sotme: një para-Bienale që nisi në Bari, e konceptuar si një rrugëtim metaforik: rreth 120 artistë, mendje të reja krijuese të ardhura nga e gjithë Europa, morën anijen nga Bari në Durrës dhe gjatë natës në bord morën pjesë në një bisedë të moderuar nga gazetarja dhe kritikja italiane Manuela Gandini, rreth veprës që mban firmën e Michelangelo Pistoletto-s dhe Juan Sandoval-it: “Deti Mesdhe – Karrige Dashuri Diferencë”, e kompozuar me gjashtëdhjetë karrige që vijëzojnë hartën e Mesdheut.

Bashkë me artistët e rinj të Bienales dhe drejtorin artistik, Driant Zeneli, të pranishëm edhe të ftuar të veçantë, mes të cilëve: Cathryn Drake, Ettore Favini, Adrian Paci, Gilad Ratman, Said Murad, Alicia Knock, Gabi Scardi, Costas Varotsos, Alessandra Galletta, Roland Sejko, Stefano Rabolli Pansera, Daniele Capra, Anna Daneri.