“Broken” i Edmond Budinës, premierë në Festivalin e Kinematografisë Evropiane në Lecce - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
I përzgjedhur si eveniment special i festivalit që zhvillohet nga 9 deri më 14 të këtij muaji, filmi Broken (Të thyer) do të shfaqet më datë 11 prill, në orën 20:00

Romë, 6 prill 2018 – Do të jetë e pranishme edhe kinematografia shqiptare në Edicionin XIX të Festivalit të Kinematografisë Evropiane në Lecce që nis të hënën më 9 prill e mbyllet të shtunën, 14 prill. Mes protagonistëve të kinematografisë italiane e evropiane do të jetë i pranishëm në Festival edhe regjisori i njohur Edmond Budina me filmin e tij më të ri, Broken (Të thyer) që do të shfaqet, për të parën herë në Itali, më 11 prill,  orën 20:00, sallën 2 të Multisala Massimo.

“Për filmin në veçanti, por edhe për gjithë kinematografinë shqiptare, është e vyer pjesëmarrja në këtë festival, një vetrinë e rëndësishme e kinematografisë evropiane. – thotë producentja Adele Budina për Shqiptarin e Italisë - Që në konferencën e shtypit të prezantimit të edicionit të këtij viti, filmit, i përzgjedhur nga organizatorët e festivalit për eveniment special, iu kushtua një vëmendje e veçantë, gjë që na gëzon pa masë. Perfitoj nga rasti të falënderoj veçanërisht drejtorin e festivalit Alberto La Monica”.

Premiera do të paraprihet nga një debat mbi kinematografinë dhe kulturën shqiptare gjatë të cilit do të marrin fjalën veç regjisorit Edmond Budina, producentëve të filmit, Adele Budina dhe Paolo Spina, edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, Presidenti i Apulia Film Commission, Maurizio Sciarra, Asesorja për Industrinë turistike dhe kulturore e Rajonit Puglia, Loredana Capone.

Filmi Broken (2017)

Ngjarjet e filmit zhvillohen në Shqipërinë e sotme dhe pasqyrojnë ndryshime që kanë ndodhur në një vend, që papritmas ka kaluar nga një diktaturë e egër në një demokraci liberale të shfrenuar, ku rregullat shpesh shkelen në emër të një pasurimi të rrufeshëm dhe të paskrupullt. Në këtë lloj shoqërie, aftësia, vlera, e për rrjedhojë edhe respekti  kanë për bazë shkallën e pasurisë së vënë, nuk ka rëndësi në ç’mënyrë. Padrejtësia rrit korrupsionin, që gërryen nga brenda shoqërinë, duke i lënë vetëm një maskë hipokrizie. Kështu liria kthehet në një iluzion dhe shpesh ndodh që të pambrojturit të paguajnë shtrenjtë ndershmërinë e tyre.

Edmond Budina

I lindur në Tiranë në vitin 1952, Edmond Budina është diplomuar në Akademinë e Arteve, ka punuar për vite me radhë si aktor ne teater dhe kinematografi, si regjisor në Teatrin Kombëtar, në të cilin ka qenë edhe anëtar i Këshillit drejtues Artistik. Ka bashkëpunuar me shumë gazeta duke mbuluar teatrin, kinematografinë dhe televizionin, ka dhënë mësim në universitetin e Tiranës ku është zgjedhur edhe si përfaqësues i profesorëve për takimin e dhjetorit 1990 me presidentin e asokohe Ramiz Alia për t’i kërkuar pluralizmin politik. Eshte nje nder themeluesit e Partise Demokratike.

Ka ardhur në Itali në vitin 1992, me operacionin C.O.R.A. (për riatdhesimin e familjeve italo-shqiptare). Në vitin 1995 ka realizuar dokumentarin “Guardando al ritorno”,  shfaqjen “Tabir Sarai”. Në 2002-shin ka marrë pjesë në Torino Film Festival me filmin me metrazh të shkurtër “Domenica delle palme”, financuar nga tele+. Në vitin 2003 ka realizuar filmin e tij të parë me metrazh të gjatë, Lettere al vento, që ka marrë pjesë në rreth 30 festivale ndërkombëtare dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme. Filmi i tij i dytë është Ballkan Bazar (2011), bashkëprodhim italo-shqiptar që ka marrë pjesë në dhjetë festivale italiane e ndërkombëtare.  Në vitin 2017 ka përfunduar Broken, bashkëprodhim shqiptar, italian dhe maqedonas.

Ndërkohë, ka pasur edhe role si aktor në filmin Tickets (2005) të regjisorit të madh Ken Loach, Eccezziunale veramente 2 (2006) të Carlo Vanzinas, Fuori mira (2013) të Eric Bernasconi, L’Oriana (2015) të Marco Turco, në soap operan “Un posto al sole” dhe protagonist i shfaqjes teatrale “Migranti” të Marco Balianit.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)