Çmimi Anna Cenerini Bova: 2.000 euro për të riun e vitit - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Shoqata Occhio Blu Anna Cenerini Bova ka krijuar një çmim të përvitshëm që ka për qëllim vlerësimin e angazhimit të një të riu - italian apo shqiptar rezident në Itali – në promovimin e marrëdhënieve kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë. Dokumentacioni i nevojshëm për pjesëmarrjen duhet nisur brenda datës 15 tetor

Nismave të shumta të shoqatës itali-shqiptare Occhio Blu Anna Cenerini Bova u shtohet edhe një çmim vjetor që mban emrin e themelueses së shoqatës.

Siç ishte paralajmëruar që në fillim të vitit, shoqata në bashkëpunim me Universitetin e Mesdheut (UNIMED), ka krijuar një çmim të përvitshëm me vlerë 2.000 euro për të rinjtë shiptarë rezidentë në Itali e për të rinj italianë që dallohen në promovimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve.

Me këtë çmim, shoqata dëshiron të vërë në dukje rolin e brezave të rinj që psikasin në studime, në zhvillimin  e në përhapjen e kulturës shqiptare dhe arbëreshe në Itali, veçanërisht në fushat e njohurive historike, artistike, letrare, të spektaklit  dhe të kulturës ambientale.  Sipas këtyre kritereve, çmimi do t’i jepet një të riu që, me angazhimin e tij në studime dhe/ose punë, ka dhënë kontribut në rritjen dhe njohjen e kulturës shqiptare dhe arbëreshe në Itali, në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe në mbështetje të veprimtarive të shoqatës Occhio Blu Anna Cenerini Bova.

“Studimi dhe promovimi i kulturës shqiptare mbeten objektivat institucionalë të shoqatës sonë – thekson për shqiptariiitalise.com presidentii saj, ambasadori Mario Bova. – Me çmimin dëshirojmë të nxisim këto funksione dhe të ndihmojmë për rritjen e përhapjen, veçanërisht në Itali, të pasurisë së larmishme kulturore shqiptare, edhe në formën e saj arbëreshe”.

“Por vëmendja jonë e veçantë ndaj të rinjve – shton ambasadori Bova – ka për qëllim edhe formimin e interpretuesve, studiuesve dhe protagonistëve të rinj të kulturës shqiptare, që t’u shtohen atyre që deri tani kanë dhënë një kontribut të vyer për njohjen e një prej kulturave mesdhetare e ballkanike ndër më intereantet. Jemi të sigurtë që mobilizimi i të rinjve, perceptimi më modern i dukurive kulturore e shoqërore, mund të vërë në dukje një Shqipëri të pasur në potenciale dhe perspektiva, gjithnjë e më larg stereotipeve tradicionale”.

Fituesi i çmimit do të përzgjidhet mes kandidatëve sipas gjykimit të padiskutueshëm të jurisë që do të përbëhet nga nëtarë të shoqatës, nga përfaqësues të UNIMED, dhe nga ekspertë të jashtëm të famshëm në sektorë të ndryshëm. Çmimi do të dorëzohet në nuajin nëntor apo dhjetor gjatë një veprimtarie të posaçme.

Mund të marrin pjesë në garën e hapur për këtë çmim të rinj italianë ose shqiptarë rezidentë në Itali, me moshë deri në 35 vjeç. Kushdo mund të propozojë dikë apo të vetëkandidohet duke dërguar një relacion të shkruar (në gjuhën italiane) të cilit duhet t’i bashkëngjisë kontribute të kandidatit (dokumente, materiale fotografike, video, audio etj.) që të dokumentojnë veprimtaritë e zhvilluaraa prej tij, si dhe një kurrikulum që duhet të përmbajë informacione të qarta lidhur me vendet, datat, kohën dhe institucionet që mund të përfshihen.

Ky dokumentacion duhet nisur me postë brenda datës 15 tetor 2014 në adresën:

PREMIO ANNA CENERINI BOVA
ASSOCIAZIONE CULTURALE OCCHIO BLU
c/o UNIMED (Unione delle Università del Mediterraneo)
CORSO VITTORIO EMANUELE, 244
00186 – ROMA

In italiano: Premio Anna Cenerini Bova: 2.000 euro al giovane dell’anno