DEA hap shkollën shqipe në Cecina - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Nis të shtunën mësimi i gjuhës shqipe edhe në Cecina. Në shkollë janë regjistruar deri tani mbi dhjetë fëmijë. Është kjo iniciativa e fundit e shoqatës DEA, Donne Emigrate Assocciate

Romë 11 tetor 2011 – Shkollave të shqipes të Parmës apo të Fermos, tashmë i shtohet një e re: ajo e ngritur nga DEA (Donne Emigrate Assocciate) në Cecina të Livornos.

Të shtunën e shkuar prezantimi i vitit shkollor, ndërsa nga e shtuna e ardhshme 15 tetor, në orën 15.00 nis mësimi, që do të zhvillohet në sallën e vënë në dispozicion shoqatës nga famullia në rrugën Edmondo De Amicis, Palazzaccio.

“Cecina është e vogël por aty dhe në komunat përreth jetojnë mbi 450 familje shqiptarësh. Ndaj edhe e pamë me vend të hapnim një kurs të gjuhës shqipe” thotë për shqiptariiitalise.com Rezearta Elezi, kryetare e shoqatës DEA. Çdo të shtunë në sallën e shoqatës do të studiohet gjuha shqipe, histori, gjeografi, muzikë. Do të japin mësim, falas,  veç Elezit, edhe Merita Cekaj, Hatmone Hadërgjonaj e të tjera

Në kurs janë regjistruar mbi dhjetë fëmijë me moshë nga 8 deri në 16 vjeç. “Janë të gjithë me banim në Cecina – shpjegon Rezearta Elezi – por shpresojmë që të na afrohen edhe shqiptarë nga komunat përqark”. Shkolla do të ndiqet edhe nga dy joshqiptarë: “Djali i një shoqes sonë italiane dhe një bullgar i martuar me një shqiptare, kanë shprehur dëshirën të ndjekin shkollën” tregon kryetarja e shoqatës.

Gjithçka me forcat tuaja? “Po. I kemi kërkuar ministrisë të na japë disa tekste për mësimin e shqipes jashtë atdheut e na u përgjigjën se duhet të përcjellim kërkesën përmes ambasadës. E kemi paraqitur kërkesën në Ambasadë, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Jemi lidhur me shoqatën Scanderbeg të Parmës për të përfituar nga përvoja e tyre, që tashmë nisin vitin e tretë të shkollës. Ata na ofruan abetaret e tyre”.

Shoqata DEA e përbërë nga gra të huaja, kryesisht shqiptare, është krijuar në Cecina në vitin 2010. Ka për qëllim të favorizojë, lehtësojë, ndihmojë dhe promovojë integrimin mes familjeve të ardhura dhe atyre vendase, përmes aktivitetesh kulturore dhe shoqërore. “Kemi organizuar koncerte, një seminar e një videoprojeksion mbi Shqipërinë me rastin e festës së Pavarësisë, vitin e shkuar. – tregon kryetarja -  Kemi ngritur edhe kurse për mësimin e italishtes, apo të anglishtes, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë të huajve”

Foto nga dita e parë e shkollës

{gallery}cecina-dea{/gallery}