Dritëro Agolli nderohet me çmimin Carlo Levi - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Më 5 tetor, ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në Aliano. Më datë 4, të rinjtë e shoqatës Luigj Gurakuqi të Puglias organizojnë një mbrëmje-takim me shkrimtarin

Romë, 23 shtator 2013 - Shkrimtari Dritëro Agolli, në prag të 82-vjetorit të tij, do të nderohet me çmimin letrar “Carlo Levi”, ceremonia e dhënies të të cilit do të mbahet më  5 tetor në Aliano të provincës së Materas.

Dritëro Agolli  është një nga fituesit e kategorisë për të huajt për prodhimtarinë e tij letrare pesëdhjetëvjeçare.

Me rastin e ardhjes në Itali të shkrimtarit, drejtuesit e shoqatës Luigj Gurakuqi të Puglias, kanë organizuar një takim me të më 4 tetor në Altamura. Shoqata Luigj Gurakuqi fton të gjithë shqiptarët e Puglias “të marrin pjesë në këtë mbrëmje të rëndësishme për letërsinë dhe kulturën shqiptare, ku nuk do të mungojnë dhe aktivitete të tjera si muzika popullore dhe polifonike me të ftuar këngëtarin e njohur Nazif Çela dhe poeti popullor Feti Brahimi” lexohet në lajmërimin e botuar para pak ditëve në profilin e shoqatës.  

Ndërkohë, një botim i ri kushtuar Agollit do të vijë nga shtëpia botuese “Toena”. Libri studimor prej 700 faqesh mbi veprën e shkrimtarit me titull “Fjalor rimor i Dritëro Agollit” është përgatitur nga gjuhëtari Mina Gero.

Fituesit italianë të çmimit “Carlo Levi 2013”, i cili jepet çdo vit që nga 1988, janë Guido Conti me romanin “Il grande fiume Po” dhe Enzo Vinicio Alliegro me “Totem nero”. Ndërsa në kategorinë për të huajt, bashkë me Agollin, vlerësohet edhe francesi André Vauchez për veprën “Francesco d’Assisi”.