Edhe Kosova në Biennalen e Venecias - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Për të përfaqësuar Republikën e Kosovës, më të renë e Ballkanit, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Venecias (e njohur me emërtimin Biennale di Venezia) ka menduar artisti kosovar Gjokë Gojani me “Unofficial virtual Kosovo nonpavilion”.

Një ide e thjeshtë, por gjeniale, që s'ka si të mos konsiderohet e tillë, kur me realizimin e saj, artisti kosovar nuk ka prezantuar thjesht veten e tij apo artistë të tjerë bashkëkombës në një sfond kaq të rëndësishëm ndërkombëtar siç është Biennale-ja, por ka promovuar njëkohësisht Republikën e Kosovës, që ka aq nevojë të njihet në botë.

“Importante è partecipare!” – thotë një shprehje italiane e që dëgjohet shpesh në konkurse. Ne do ta huazonim në këtë rast, për këtë dalje qoftë edhe "virtuale" të Kosovës me artistët e saj, në këtë skenë ndërkombëtare. Kosova është në Biennale, paçka se "brenda apo jashtë" (nënkupto në aktivitetet e Biennales apo në ato të bashkërenduara të saj), paçka se "fizikisht apo virtualisht". Kosova u përmend, u pa, dhe për Kosovën u fol nëpërmjet artistëve të saj. Arti lidh, bashkon, ngre ura mes popujsh e vendesh, shpesh më shpejt e më me efikasitet se mbledhjet bilaterale politike. Kjo pjesëmarrje mund të konsiderohet një dhuratë për atdheun, Kosovën nga bijtë e saj artistë.

Në një komunikatë shtypi të sitit UnDo.net, i cili dhe publikon evenimentin dhe videon e realizuar me veprat e artistëve kosovarë, sqarohet se ideja për këtë jo-pavijon jo-zyrtar virtual për Kosovën në Biennale lindi pothuaj rastësisht nga takimi i artistit kosovar Gjokë Gojani me Steve Piccolo, artist sound amerikan, i cili i ka dhënë dhe leksione artistit kosovar në Akademinë Carrara të Bergamos.

Gjoka kontaktoi dhe ftoi në "Virtual Kosovo Pavilion", artistë të tjerë kosovarë, që të dërgonin në formë digjitale veprat e tyre. Dhe kështu u realizua videoja me emrin "Virtual Kosovo Pavilion", që zgjat 6:19 min, ku "ekspozojnë" me radhë artistët me veprat e tyre: Gjokë Gojani (I miss my enemeis), Ibrahim Aliu (Picture gardens), Faton Aliu (Landscape in red Planet), Vilsona Blakaj (Sunny rays into my soul), Ilir Balaj, (Missing identiy), Dukagjin Idrizi (Legendary tale), Dini Begolli (Dinner for my enemies), Petrit Halilaj (Back to the future, installation), Lavdije Murtezi (Without a moviment, there is no improvement), Arian Rogova ( Prishtina library of ëar), Arbana Hajredinaj (Elemosynary performance), Artan Balaj ( Ku Klux Klan), Albulena Haxhibeqiri (Dog's portrait on human character),Korab Kusari (Trying to hold my enemy), Luan Bajraktari (Flowers for the enemy), Valon Begolli (Mercy), Libert Shkopolli (L'art est dans l'oeil de celui qui regarde!!), Petrit Gora (Artists statement), Nexhat Krasniqi Nekra, Luan Kotori (Teacher).

Vepra këto, që trajtojnë një tematikë që përkon me temën e "I miss my enemies" (ekspozitë e kuruar nga Oxana Maleeva, ku merr pjesë mes të tjerëve edhe artisti shqiptar Adrian Paci), që do të prezantojë "Virtual Kosovo Pavilion" në evenimentin final të saj në Biennale.

Gjithashtu "Virtual Kosovo Pavilion" është inkuadruar në "Biennale Alterground" të promovuar në Undo.net ku kontribuojnë studiues dhe artistë, të cilët ofrojnë këndvështrimin e tyre e një lexim origjinal mbi këtë edicion të 54-t të Biennale-s së Venecias.

Albana Temali, Bologna