Elhaida Dani në Koncertin e Krishtlindjeve. Sonte në Rai 2 - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Mes shumë artistëve të mëdhenj, edhe këngëtarja shqiptare fituese e ‘The voice of Italy’ në koncertin tradicional të Krishlindjeve që transmetohet sot në mbrëmje në Rai Due

Romë, 24 dhjetor 2013 – Viti i mrekullueshëm për Elhaida Danin nuk mund të mbyllej më mirë se kështu. Ajo ka marrë pjesë në Koncertin tradicional të Krishtlindjeve që u mbajt më 7 dhjetor në Auditoriumin Conciliazione të Romës krah artistësh si Patti Smith, Elisa, Allevi dhe shumë yjesh të tjerë të muzikës ndërkombëtare dhe që sot në mbrëmje (ora 21.10) shfaqet në RAI2.

Pas fitores në Edicionin e parë të The Voice of Italia, Elhaida ka publikuar një disk, e ka dhënë një sërë koncertesh në mbarë Italinë, për të mos përmendur dhjetëra pjesëmarrjet në transmisione të ndryshme radiofonike e televizive. Pjesëmarrja në Koncertin e Krishtlindjeve, ndër evenimentet më të rëndësishme të festave të fundvitit, do të jetë për 20-vjeçaren shqiptare një tjetër ‘eksperiencë e mrekullueshme’. “Është diçka shumë e bukur për mua të marr pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm, krah yjeve të muzikës ndërkombëtare” deklaron ajo e lumtur.

Koncerti i Krishtlindjeve i mbështetur nga Vatikani ka një histori 21 vjeçare. Është një festë e madhe që mbledh në Romë artistë të famshëm nga mbarë bota të gjinive të ndryshme të muzikës, nga lirika te rroku, nga folk te muzika klasike.

Ndër pjesëmarrësit e këtij viti, veç Elhaida Danit, janë edhe Giovanni Allevi (dirigjent e pianist), këngëtarët Arisa, Elisa Alex Britti, Luca Barbarossa, Bianca Atzei, por edhe Asaf Avidan (Israele), Patti Smith (USA), Dolores O’Riordan (Irlanda). Ata do të shoqërohen nga Orkestra Sinfonike Universale Italiane nën drejtimin e Renato Serios si dhe nga koret Virginia State Gospel Choir (USA), Art Voice Academy (Italia) dhe Scuola di Canto Corale del Teatro dell’Opera di Roma.

KB Shqiptari i Italisë

Lexo edhe:
The Voice of Albania: Zëri i Italisë quhet Elhaida Dani 
Elhaida Dani. The Voice of Italy è albanese 
Elhaida. Histori e një fitoreje të paralajmëruar 
Elhaida Dani nxjerr në treg albumin e saj të parë

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)