Elvana Gjata, Flori Mumajesi dhe Andy Gramm për të parën herë në Firence - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Më 27 prill në orën 21.30 në Momà Club Firenze, Glamorous Albania organizon një koncert me artistët e muzikës pop Elvana Gjata e Flori Mumajesi të shoqëruar nga Andy Gramm dhe Sylvester Deejay.

Romë, 10 prill 2014 – Për të rinjtë dashamirës të muzikës pop data 27 prill është për t’u shënuar. Në Momà Club Firenze do të mbahet për të parën herë një koncert i  këngëtarëve të njohur të muzikës pop Elvana Gjata e Flori Mumajesi  të shoqëruar në konsolë nga Andy Gramm dhe Sylvester Deejay.

Koncerti është organizuar nga Glamorous Albania, shoqëri e krijuar vitin e shkuar në Firence nga të rinjtë Florjan Gogaj dhe Almeida Shahini, që dëshirojnë që “hera e parë për këta artistë dhe fansat e tyre në Itali të jetë me të vërtetë një eksperiencë e paharrueshme”.

“Me Glamorous Albania po përpiqemi të japim kontributin tonë për krijimin e një standardi të ri e modern të veprimtarive artistike në Shqipëri dhe në Diasporë. Synojmë gjithashtu të çojmë në Shqipëri tendencat e fundit të modës, artit dhe muzikës” – shpjegon Florjan Gogaj për Shqiptariiitalise.com. Dhe është për t’i besuar se do t’ia dalin mbanë po të mbahet parasysh që vitet e shkuara, për festat e nëntorit, ka organizuar në Firence edhe koncertet e suksesshme të Aurela Gaçes dhe Elita5.

Për më shumë informacion mbi koncertin e datës 27 prill mund të kontaktoni organizatorët në: ELVANA GJATA, FLORI MUMAJESI & ANDY GRAMM Live In Florence