Ermonela Jaho e Inva Mula – Dy yje shqiptare në Arenën e Veronës - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Më 17 qershor nis edicioni i 89° i festivalit lirik të Arenës së Veronës. Me operën e famshme të Giuseppe Verdit “Traviata” që do të ketë 9 replika deri më 11 gusht. Në skenë në rolin e Violetës do të ngjitet Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare që vitin e shkuar triumfoi me këtë rol në Covent Garden të Londrës. Do  të alternohet me një tjetër shqiptare të afirmuar në këtë rol, Inva Mulën.  Alfredo do të ketë zërin e Francesco Demuro-s. Regjia mban firmën e një prej regjisorëve më të gjenialë të teatrit muzikor, argjentinasit Hugo De Ana. Dirigjent i orkestrës, Carlo Rizzi ndër më të vlerësuarit sot në arenën ndërkombëtare.

Festivali lirik i Veronës, këtë vit  ka  gjashtë tituj të rëndësishëm në program: përveç Traviatës edhe Aida e Nabucco të Verdit, Berberi i Seviljes i Rossinit, La Boheme e Puccinit dhe  Roméo et Juliette e Gounod.

Gjashtë vepra tradicionale të Arenës, me të cilat ajo shpreson të përsërisë suksesin e sezonit të shkuar kur pati mbi katër milionë e gjysmë spektatorë. Për 49 mbrëmje deri më 3 shtator, Arena ofron për publikun dy produksione të reja dhe vënie në skenë historike të ripropozuara me rastin e 150 vjetorit të Unitetit të Italisë dhe zëra me famë botërore.

Lexo edhe: Triumfi i Ermonelës