Festivali i Filmit i Durrësit nderohet me çmim në Milano - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Në mbrëmjen e inaugurimit në Milano të "Sport movies tv 2010", ai që konsiderohet një nga festivalet më të rëndësishëm në botë kushtuar kinematografisë dhe televizionit me temë sportin, u ndanë disa çmime për persona dhe aktivitete kulturore.

Një nga çmimet iu dha Shqipërisë, më saktë Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit që zhvillohet ne Durrës. Çmimi "World FICTS Challenge" u tërhoq nga drejtoresha e këtij festivali, Anila Varfi. Ajo falënderoi për vlerësimin e lartë dhe tha se një pjesë e këtij çmimi i takon Bashkisë së Durrësit, si mbështetësja kryesore e festivalit.

Në motivacionin e dhënë nga juria, që përbëhet nga disa prej personaliteteve më të shquar të kinemasë dhe sporteve, lexohet se Festivali i Durrësit nderohet  si një prej aktiviteteve që po përpiqet të krijojë themelet e një evenimenti me rëndësi në botën e kinematografisë.

Në këtë edicion ishin të pranishëm specialistë dhe delegacione nga 44 vende të botës.

Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit i Durrësit zhvilloi këtë vit nga 29 Gusht deri më 4 Shtator 2010, edicionin e tretë të tij në “Ishullin e Festivalit” pranë detit,  si dhe në Amfiteatrin e Lashtë Romak ku  publiku  ndoqi  nën yje produksionet më të mira kinematografike nga e gjithë bota. Ky edicion  prezantoi  për publikun produksionet më kreative dhe më të rëndësishme të kinemasë bashkëkohore. Në konkurimin zyrtar u prezantuan 17 filma Artistikë  të përzgjedhur këta midis produksioneve më të spikatura të këtij viti. Në programin konkurrues ishin dhe 15  filmat  e shkurtër të studentëve Shqiptarë. Gjatë ditëve të festivalit u shfaqen  dhe katër  Filma Artistikë Francezë  jashtë konkurrimit  në seksionin “Takimet e Ngushta” si dhe dokumetarë në seksionin “Dokumentari Internacional”. Durrësi  edhe këtë vit  mirëpriti  shumë kineastë dhe artistë të huaj  të cilët e njohën  Shqipërinë dhe këtë qytet të mrekullueshëm  përmes  filmit.

Ky festival synon  të krijojë lidhje të forta midis Shqipërisë, vendeve të Rajonit, dhe  Evropës. Evenimenti, i cili manifeston Kinemanë në të gjitha format e saj, mbështet  dhe nxit qarkullimin e  kulturës vizuale të Evropës dhe Ballkanit. Festivali  do të vazhdojë të mbështesë rritjen e marrëdhënieve profesionale në të gjitha fushat e filmit.