“Piccola Patria” sjell pak Shqipëri në Festivalin e Venecias - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Në filmin e Alessandro Rossettos, një ndër aktorët kryesorë është Vladimir Doda, në rolin e emigrantit shqiptar në provincën italiane. Në një rol dytësor, edhe Mateo Çili.
Në edicionin e 70° të festivalit, e pranishme për herë të parë edhe Kosova me filmin me metrazh të shkurtër “Ballkoni” i regjisores Lendita Zeqiraj.
Diçka shqiptare sjell edhe  “L’Intrepido” i Gianni Amelios me protagonist Antonio Albanese, pjesë të të cilit janë xhiruar në Shqipëri.

Romë, 27 gusht 2013 – Nis nesër, më 28 gusht, edicioni i 70-të i festivalit më të vjetër të filmit në botë, Festivali Ndërkombëtar i Artit Kinematografik i Venecias. Edhe këtë vit do të ketë në të “pak Shqipëri”. Me filmin “L’Intrepido” (Sypatremburi) të Gianni Amelios me protagonist Antonio Albanese, pjesë të të cilit janë xhiruar në Shqipëri, në konkurs për Luanin e Artë, dhe “Piccola Patria” (Atdheu i Vogël) të Alessandro Rossettos, një ndër aktorët kryesorë të të cilit është Vladimir Doda, në rolin e emigrantit shqiptar në provincën italiane. E për të parën herë, në Venecia do të përfaqësohet edhe Kosova, me filmin e shkurtër “Ballkoni” të Lendita Zeqirajt.

“Piccola Patria” tregon anën e errët e mbytëse të periferisë italiane. E bën përmes historive të dashurive, shantazheve, zemërimit, hakmarrjeve, dëshirave e ëndrrave për të shkuar sa më larg të të rinjve Luisa, Renata, imigranti Bilal (Vladimir Doda), nga njëra anë, dhe të dhunës, paragjykimit, racizmit, dorëzimit, shkurajimit, mungesës së ëndrrave të brezit të prindërve, Frianco, Rino, Itala, Anna, nga ana tjetër. Asnjë nuk është engjëll, të gjithë janë viktima e xhelatë në të njëjtën kohë, duke rrezikuar të humbasin dalëngadalë çka kanë më të shtrenjtë, nga dashuria te jeta.

Ndoshta më shumë viktima se të tjerët janë pikërisht imigrantët shqiptarë Bilali e miku i tij Anes, të cilët, siç ndodh rëndom në shoqëri, edhe pse të integruar më së miri në shoqërinë lokale, vihen në shënjestër të të gjithë vendasve që prej tyre ndihen të kërcënuar, vuajnë paragjykimet e racizmin.

"Personazhi im Bilali ka një energji të ndrydhur dhe ushtron mbi veten autokontroll të vazhdueshëm. – tregon Vladimir Doda mbi rolin e tij për shqiptariiitalise.com – Gjatë filmit dalin në pah virtytet të tjera si ëmbëlsia që tregon me të fejuarën apo ana ëndërrimtare, shkëndija të të cilës ndez ndonjëherë por që kurrë nuk ushtron deri në fund. Por edhe potenciali i dhunës, Natyra e tij e vetmuar që lidhet me të qenit emigrant por në të njëjtën kohë dëshira e tij për t’u stabilizuar dhe për t’u pranuar nga një shoqëri me paragjykime. Del në pah lidhja e tij me familjen dhe koncepti i ndihmesës për ata që janë në vështirësi, por në të njëjtën kohë edhe lufta e brendshme që zhvillohet brenda tij duke qenë se dëshiron t’i largohet imazhit të keq që është formuar mbi imigrantët".

“Piccola Patria” është filmi i parë artistik i Alessandro Rossettos. Është një afresk humaniteti dramatik, plot gjallëri, largpamës dhe i lirë, i ambientuar diku në verilindje Italisë. I interpretuar nga të rinj debutues të talentuar si Maria Roveran, Roberta Da Soller, Vladimir Doda, Mateo Çili (në rolin e Anesit) dhe nga Lucia Mascino, Diego Ribon, Mirko Artuso, Nicoletta Maragno e Giulio Brogi. Skenari, i shkruar nga Alessandro Rossetto në bashkëpunim me Caterina Serra e Maurizio Braucci, frymëzohet nga fakte të vërteta. E folura në dialektin e Venetos apo në shqip i jep akoma më shumë forcë rrëfimit. Filmi është prodhuar nga Gianpaolo Smiraglia për Arsenali Medicei dhe bashkëprodhuar nga Luigi Pepe për Jump Cut. “Piccola Patria” konkurron për seksionin Horizonte të Festivalit.

Në të njëjtin seksion konkurron edhe filmi me metrazh të shkurtër “Ballkoni” i regjisores kosovare Lendita Zeqiraj. Ky është përfaqësimi i parë i kinematografisë kosovare në këtë Festival. Filmi zhvillohet në Kosovën e ditëve të sotme, ku një djalë 10 vjeçar me emrin Jeton, ulet në parvaz të një ballkoni në kat të katërt duke tërhequr vëmendjen e fqinjëve dhe kalimtarëve, të cilët lajmërojnë policinë e zjarrfikësit. Me ardhjen e tyre, në vend që situata të zgjidhej, del nga kontrolli. Në rolet kryesore interpretojnë Osman  Ahmeti, Sevdai Radogoshi, Arben Bajraktaraj.

Edhe “L’Intrepido”, film me regji e skenar të Gianni Amelios, që konkurron për Luanin e Artë, sjell pak Shqipëri në Venecia.

“Sypatremburi” i Amelios është Antonio Albanese në rolin e një të papuni optimist që në Italinë e krizës, bën “zëvendësuesin” për të mbijetuar. Shofer trami, bukëpjekës, punëtor ndërtimi. Madje provon edhe emigracionin. E nëse anijet e Lamerikës (në festivalin e Venecias në vitin 1994) ishin të mbushura me shqiptarët që vinin drejt Italisë, personazhi i Sypatremburit bën rrugën në të kundërt, e provon të punojë në një minierë të Shqipërisë. E për filmin, Amelio e Albanese kanë shkuar për pak ditë xhirime në Tiranë e Bulqizë.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Vladimir Doda, “emigranti Bilal” në festivalin e Venecias