Gjakmarrjet shqiptare në Berlinale - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin u mbyll me triumfin e filmit iranian “Nader And Simin – A Separation, të regjisorit iranian Asghar Farhadi. Por festivali nderoi me çmimin për skenarin më të mirë një film që trajton një temë thellësisht shqiptare, të xhiruar në Shqipëri e të interpretuar në shqip. Bëhet fjalë për veprën "The Forgiveness of Blood" (Falja e gjakut) e shkruar nga amerikani Joshua Marston - regjisor i filmit - dhe nga Andamion Murataj, skenarist dhe producent shqiptar.
Botojmë një kritikë dhe intervistat e realizuara nga Luciana Morelli për Movieplayer.it

Falja e gjakut: drama e hasmërive shqiptare në Berlin

Hasmëritë familjare, hakmarrjet e tërthorta dhe përballjet mes brezave të shkaktuara nga rrënjosja e kodeve të lashta, që në disa zona të Shqipërisë ende janë rregulloret e bashkëjetetës dhe mjetet për zgjidhjen e çështjeve “familjare”. Drejtësi private që jetojnë paralelisht me ato institucionale, megjitëse ligji dhe forcat e policisë bëjnë ç’është e mundur për të evituar ndjekjen e këtyre zakoneve. Këto, e mbi të gjitha përballja e brezave të rinj me këto arkaizma ende shumë të rrënjosur, janë temat e The Forgiveness of Blood (Falja e gjakut), një film i realizuar me fonde të pakëta e fryt i një bashkëpunimi ShBA/Shqipëri/Danimarkë/Itali. Është drejtuar nga regjisori Joshua Marston, i njohur për veprën me nivel të lartë Maria Full of Grace, triumfues në Festivalin e Sundance dhe në Festivalin e Berlinit në vitin 2004 si vepra më e mirë e parë e këtij regjisori. Filmi i sivjetshëm rrëfen historinë e Nikut dhe Rudinës, motër e vëlla adoleshentë që jetojnë me prindët dhe dy vëllezër më të vegjël në një shtëpi fshati në Shqipëri. Kur babai i tyre, për të zgjidhur një çështje parimore ndaj një bashkëfshatari, njolloset me gjakun e një vrasjeje, rrjedhojat i paguajnë të gjithë, por në veçanti Niku si djali më i madh i shtëpisë. Ai duhet të qëndrojë i ngujuar deri sa të zgjidhet rasti. Në mungesë të kryetarit të familjes,në arrati në malet përreth, do t’i takojë të resë Rudina që të punojë e të mbajë shtëpinë.
Një karrierë që pritej e shkëlqyer ajo e regjisorit Marston, i cili pas fillimeve shumë të mira dhë një përvojë televizive në regjinë e disa episodeve të serialeve Six Feet Under e Laë & Order, duket sikur qe fruanuar për disa vjet. Deri sa nuk vendosi të eksplorojë fillimisht si studiues e më pas si kineast një vend europian për të gati i panjohur. Më pas takimi me bashkëskenaristin Andamion Murataj (i cili është edhe pjesëmarrës në prodhimin e filmit) e me producentët e interesuar. Më pas projekti mori krahë.
Të pranishëm në takimin me regjisorin janë edhe aktorët Sindi Lacej (Rudina), Tristan Halilaj (Niku), Refet Abazi (babai i Nikut), bashkëpunëtori në skenar dhe në prodhim Andamion Murataj, producesti njujorkez Paul Mezey në përfaqësim të Journeyman Pictures dhe shpërndarësi italian si dhe producent ekzekutiv Domenico Procacci që përfaqëson Fandango Portobello, shtëpia e filmit e krijuar nga bashkimi i Fandangos së tij me britaniken Portobello Pictures. Filmi do të dalë në kinematë italiane pas verës, por në rast suksesi në Berlinale, sipas Domenico Procacci-t, filmi mund të nxirret dhe më parë nëpër salla.

Spektatori që bazohet vetëm tek titulli, mund të mendojë se bëhet fjalë për një ngjarje në fund të së cilës fajtori falet, por nuk është tamam kështu…
Joshua Marston: Në këtë histori, gjaku është shpesh një zgjidhje, ndonjëherë dikush arrin edhe ta kapërcejë dhe të falë tërësisht, siç ndodh në film. Ka dhjetëra mundësi për të dalë nga këto rrethana të vështira dhe shumë nuanca të ndryshme, si mes personazheve të kësaj historie. Jam munduar me të gjitha mënyrat që të tregoj se ajo që duket, nuk është finalja e ngjarjes, por më shumë fillimi për brezin në fjalë.

Pra falja që përmendet në titull lë të hapura dyer të ndryshme….
Joshua Marston: Këtu nuk flitet vetëm për kodin e famshëm dhe për të gjitha rregullat e vogla që janë pjesë e tij, në film desha thjesht të tregoj të gjitha aspektet dhe rrjedhojat që një fakt i tillë mund të sjellë në një familje të madhe. Nuk bëhet fjalë për falje mes rivalësh, por edhe mes babait dhe birit, e ajo e nënës që mban mbi shpinë të gjithë peshën në mungesë të bashkëshortit. Ka pikëvështrimentë ndryshme mbi temat e rrëfyera në këtë film.
Nga pikëvështrimi i aktorit që interpreton babain e familjes së përfshirë në vrasje, si e keni jetuar juve këtë përvojë?

Refet Abazi: Finalja e filmit është vërtet e jashtëzakonshme. Sipas meje mbetet e hapur, do kisha dëshëruar një mbyllje tjetër, por në të vërtetë rrallë në Shqipëri dikush mund të falet në këto rrethana. Në fund, në shikimin e dy të rinjve lexohet falja, shpresa, trishtimi, por edhe një lloj pafuqie. Ajo që më tërhoqi tek personazhi im është marrëdhënia e vështirë që ka me të birin, marrëdhënie që pas episodit të përgjakur mprehet akoma më shumë deri në një përplasje ballë për ballë mes të dyve. Brezat e rinj, siç tregohet dhe në film, nuk kuptojnë se ç’po ndodh, nuk e dinë se ç’është kodi i nderit dhe nuk arrijnë të konceptojnë se si të rriturit e ditëve të sotme mund të jenë akoma kaq të lidhur me kodet e traditat kaq të vjetra. Janë jo aq të predispozuar për falje.

Nga suksesi i Maria Full of Grace, i vitit 2004, tanimë ka kaluar mjaft kohë. Pse kjo pauzë kaq e gjatë? Ç’ka ndodhur ndërkohë në Amerikë?
Joshua Marston: Kanë qenë vjet të vështirë, gjatë të cilëve industrisë kinematografike i është dashur të përballet me krizën e financimeve dhe me rënien e përgjithshme të ekonomisë. Për mua perspektivat ishin vërtet shumë të pakta, nuk e dinim se ç’do të ndodhte të nesërmen. Më ishin ofruar projekte të ndryshme, një prej 20 milion dollarësh, por shoqëria në fjalë falimentoi. Më pas u mora me përshtatjen e një libri për fëmijë për një projekt që u shua rrugës. E pastaj vendosa të vij në Europë. Sipas meje në Europë ka një konsideratë më të madhe për regjisorët e rinj, këtë e dëshmon edhe fakti që producentët që kam takuar për të diskutuar mbi idenë time, më treguan menjëherë një entuziazëm të habitshëm.

Ka shumë mundësi që këtu ka ndikuar fakti qe ç’ka rrëfeni në The Forgiveness of Blood është një histori universale...
Joshua Marston: Po, thellë thellë filmi rrëfen pikërisht këtë, konfliktin mes brezave, përplasjen mes “të vjetrës” dhe të resë, s’kma patur kurrë ndër mend të bëj një film për gjakmarrjen. Pas një vrasjeje, jeta e qetë e një familjeje shqiptare ndryshon rrënjësisht dhe ajo detyrohet të jetojë me një dramë vërtet shkatërruese. Kështu një i ri që luan me videolojra, gjendet i burgosur në shtëpinë e vet, i mbyllur mes katër mureve për faj të të jatit dhe për shkak të një kosi drejtësie private të shkruar nga paraardhësit e tij. Një peshë që ka kaluar nga brezi në brez, e që tani shumë në Shqipëri duan ta eliminojnë përfundimisht.

Nuk është siç mund të mendohet fillimisht, nuk është një film mbi hakmarrjen që kalon nga një brez në tjetrin, e trashëguar nga babai tek djali; shumë njerëz po mundohen të zhdukin këtë gjendje, shumë ndërmjetës po mundohen që kjo gjë të marrë fund.
Tristan Halilaj: Aty fillohet e më pas flitet për familjen dhe për mënyrën se si familja bashkëjeton me këto tragjedi.

Kur në prodhimin e filmit hyri dhe Fandango, në ç’pikë të punimit ishte filmi?
Domenico Procacci: Kur u nënshkrua marrëveshja, akoma nuk ishte përfunduar skenari i filmit, Joshua kishte hedhur në disa fletë idenë që dëshëronte të shtjellonte. Pasi u angazhuam të bashkëfinancojmë filmin, unë dhe kolegia ime Janine Gold e Portobello Pictures, lexuam disa nga versionet e skenarit dhe e shoqëruam Joshuanë në udhëtimin e tij Shqipëri ku filloi të kërkojë aktorët dhe vendet ku do të xhironte.

Sipas jush filmi ka një lloj “american touch” (një nuancë amerikane) dhe një ndjeshmëri më të madhe ndaj kësaj teme se sa mund të kishte patur një regjisor shqiptar?
Tristan Halilaj: Nuk kam patur kurrë përvojë me regjisorë shqiptarë, ky është filmi im i parë dhe nuk kam njësi mase me të tjerë. Ajo që shihet në film është Shqipëria, stili i punës është shumë amerikan, por personazhet, historia dhe dinamikat janë tërësisht shqiptare, ai ështe realiteti që jetohet në vendin tonë. Joshua qe vërtet i mrekullueshëm, mendoni që ishte aq i zhytur në këtë projekt sa kur e njoha, fliste rrjedhshëm gjuhën time.

Domenico Procacci: Ajo që më bindi për të marrë pjesë në këtë film qe pikërisht kjo cilësi e Joshuasë. Tek ai nuk pashë shkëputjen që kanë zakonisht kineastët e huaj për historitë që rrëfejnë, kur këto histori i përkasin kulturave apo kontinenteve të tjerë. Për fat të keq kur flitet për Shqipërinë, zakonisht ka një lloj klisheje, e ne italianët e dimë mirë. Nuk desha që rrëfimi të filtrohej nëpërmjet shikimit të syve të dikujt që nuk do të ishte në gjendje të mbetej krejtësisht neutral dhe i pastër.

Duke parë filmin të vjen ndër mend shpesh ajo ç’ka popullit shqiptar shpesh i duhet të bëjë në atdhe, një rrugë që jo rrallë i shtyn të ikin e të provojnë rrugë të tjera në Itali. A kishit synim të rrëfenit historinë e atyre që largoheshin nga ky realitet i hasmërive dhe i mbeturinave të një kulture kaq arkaike?
Joshua Marston: Njerëzit mendojnë se dinë gjithçka për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por nuk është kështu. Është pa dyshim një komb i komplikuar, shpresoj shumë që publiku italian, pasi të shohë filmin tim, të arrijë të ketë më shumë simpati dhe mirëkuptim për këta persona, në vend që të vazhdojnë të mendojnë se ata vijnë në Itali vetëm për të punuar ose për t’u marrë me aktivitete të paligjshme.

Na shpjeguat se tanimë Kanuni nuk është më fenomen kaq i përhapur. A mund të na thoni diçka më shumë?
Joshua Marston: Ishte mjaft më i ndjeshëm përpara dhjetë vjetësh, aq sa kur fillova filmin pyeta veten nëse do të ishte gjithsesi aktual një film mbi një fenomen që në një farë mënyre është në shuarje e sipër. Më bindi biseda me një burrë që prej shumë kohësh mundohej të evitonte rrethana të tilla. Më shpjegoi se çfarë ndodh në këto raste, thjesht duhet marrë  e tërë familja dhe duhet mbyllur në shtëpi deri sa të merret vesh se sa do të zgjasë dëshira për hakmarrje e familjes “së fyer”. Megjithëse është një fenomen në zhdukje, sot ai është i vulosur në mentalitetin e popullit shqiptar.

Gjatë komunizmit si ishte gjendja?
Refet Abazi: Gjatë komunizmit nuk mund të ekzistonte problemi i gjakmarrjes sepse gjithçka shtypej nga regjimi. Kishte një diktaturë tjetër që mbizotëronte në vend dhe kur ajo ra, i gjihtë poshtërimi i njerëzve shpërtheu në këto hakmarrje private

Pse Shqipëria?
Joshua Marston: Mbaj mend kur isha njëzet vjeç e studioja në Paris. Një ditë duke folur me një shok timin e pyes nga vinte. Ai më shkroi në një copë letër : Shqipëri e më tha “është një vend që s’e njeh kërkush”. Ishte viti 1989, Shqipëria ishte e mbyllur, e papërshkueshme. Sot, njëzet vjet më vonë, lexoj gazetat shqiptare të para pak kohëve dhe shoh se ajo ç’ka po ndodh në këtë vend në këtë periudhë është shumë interesante. Duhet të kem patur brenda gjithë këto vjet dëshirën për të njohur më shumë këtë popull dhe sot mund të them se e kam bërë.

Skena e fundit, ajo ku Rudina përshëndet të vëllanë që po ikën, dhe kamera kap një plan ta parë të mrekullueshëm, me një buzëqeshje të skicuar lehtë. Është një mesazh që do të thotë se e ardhmja e Shqipërisë është në duart e grave, që në rrethanat më të vështira ato arrijnë gjithnjë t’ia dalin e duken më të forta, më të zgjuarar dhe më të mençura se burrat. Është kështu?
Sindi Laçaj
: në një farë mënyrë është pikërisht kështu, në kushte si ato të Rusinës gratë duhet të gjejnë forcën të veprojnë, t’i qëndrojnë pranë burrave dhe të mbajnë familjen për të rritur fëmijët. Kjo është një karakteristikë e përbashkët e të gjitha grave shqiptare, ato duan të vihen në dispozicion të familjes dhe të fëmijëve, e në disa rrethana dijnë edhe të ndërmjetësojnë shumë më mirë se burrat.