Helidon Xhixha sjell ajsbergun në lagunën e Venecias - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Me “Ajsberg në Venecia” artisti shqiptar përfaqëson Republikën Arabe të Sirisë në Biennalen e Venecias

Një ajsberg prej çeliku 4 metra i gjatë e 3 i lartë që përshkon për dy orë lagunën e Venecias pranë ishullit San Servolo. Një spektakël i rrallë që u realizua më 8 maj nga skulptori shqiptar Helidon Xhixha, i njohur për skulpturat e tij  gjigande prej çeliku. Sipas autorit, me ajsbergun ai dëshiron të tërheqë vëmendjen mbi çështje ambientaliste, jo vetëm mbi anijet e mëdha plot me turistë që çdo ditë i afrohen sheshit të famshëm San Marco, por edhe mbi tema universale si ngrohja e planetit e shkrirja e akullnajave.

Ajsbergu bashkë me tre të tjera “Schegge”, “Pilastri di Luce” dhe “I Quattro elementi” përbëjnë instalacionin “Ajsberg në Venecia” me të cilin Helidon Xhixha merr pjesë në Biennalen e 56-të të artit në Venecia. E veçanta e kësaj pjesëmarrjeje është që ai përfaqëson Sirinë. Në fakt, veprën e tij nuk e gjeni në pavijonin shqiptar të Biennales, ajo mund të vizitohet deri më 22 nëntor në ishullin San Servolo ku gjendet pikërisht pavijoni i Republikës Arabe të Sirisë.