Iliria e Rietit feston 100-vjetorin e Pavarësisë - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Me një koncert të Bujar Qamilit, Artiola Toskës dhe Mahmut Feratit, më 21 prill në orën 20.45, në Pallatin e Sportit PalaSoujurner të Rietit

Romë, 18 prill 2012 – Shoqata Iliria e Rietit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizon koncertin e madh festiv me këngëtarët Bujar Qamili, Artiola Toska dhe Mahmut Ferati. Koncerti do të mbahet në Pallatin e Sportit PalaSoujurner të qytetit më 21 prill në orën 20.45.

“Prej kohësh nuk bënim një aktivitet të madh këtu në Rieti – thotë Arbër Behari, sekretar i shoqatës Iliria për shqiptariiitalise.com – dhe ajo që është më e rëndësishme, dëshirojmë të festojmë kështu 100-vjetorin e pavarësisë së vendit tonë”.

Shoqata Iliria ka lindur në vitin 2007 e ka organizuar edhe të tjera aktivitete ndër vite, qoftë vetëm, qoftë në bashkëpunim me shoqata të tjera, në një zonë ku komuniteti shqiptar është relativisht i madh “Ndër 12 mijë të huaj rezidentë në provincën e Rietit – shpjegon Arbri – rreth një mijë janë shqiptarë të Shqipërisë e po aq edhe shqiptarë të Maqedonisë. Për të mos harruar edhe 50 kosovarë. Edhe zgjedhja e artistëve nuk ishte e rastësishme: krah dy këngëtarëve të njohur shqiptarë Toska dhe Qamili, thirrëm edhe Mahmut Feratin, këngëtar i njohur nga Maqedonia, për t'i kënduar të gjithë së bashku shqiptarë të të gjitha trojeve, 100-vjetorit të flamurit tonë”.

Ky koncert është bërë i mundur falë bashkëpunimit të shoqatës me Këshillin e Krahinës së Lazio-s, me Provincën e Rietit dhe Komunën e Rietit, dhe me sponsorizimin e dy bizneseve të shqiptarëve të zonës, “Edil Gjoni” e Albert Gjonit dhe “E&K” e Ervis Kasmit.

Hyrja në koncert është 10 euro, për anëtarët e shoqatës Iliria falas.
Për prenotime dhe informacione mund t’u telefonohet Silvanës (335-5394226), Ervisit (320-2329761), Arbrit (320-0242933) ose Emrìut (389-1786715)

Shkarko Manifestin