Irma Kurti në ekspozitën “Poezia dhe Piktura” në Cremona - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Nga 10 deri më 30 nëntor në Pallatin Duemiglia

 

Poetja shqiptare Irma Kurti do të jetë pjesë e Ekspozitës “Poezia dhe piktura” në Cremona, një iniciativë kulturore e veçantë, që do të zhvillohet në kornizën sugjestive të Pallatit Duemiglia. 

Poezia e Kurtit titulluar “Ma lini mua këtë perëndim dielli” është përzgjedhur së bashku me vargjet e disa poetëve të tjerë italianë. Krijimet që e kanë kaluar fazën e seleksionimit, një për çdo poet, do të zmadhohen në format A3 dhe do të vihen në kornizë nën kujdesin e organizatorëve të aktivitetit. Vargjet do të interpretohen me gjuhën e pikturës nga artistë të ndryshëm. 

Gjatë inagurimit, aktorët do të lexojnë tekstet poetike të cilat do të prezantohen nga profesor Vincenzo Montuori, ndërsa pikturat do të ilustrohen nga doktor Simone Fappanni, iniciator i veprimtarisë. 

Inagurimi i ekspozitës do të bëhet në datën 10 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 nëntor. Ekspozita, që do të prezantojë poezitë dhe pikturat përkatëse në një kontekst me të vërtetë unik, ka mbështetjen e komunës së Cremonës.