Kinematografia shqiptare në Berlinale - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

 

Për herë të parë Shqipëria e kinematografia e saj janë të pranishme në Berlinale, Festivali Ndërkombëtar i Filmit që zhvillohet e Berlin e që është një prej më të rëndësishmëve në botë. Edicioni i sivjetshëm, i 61-të, hapet më 10 shkurt e gjatë dhjetë ditëve në vazhdim do të mbledhë si zakonisht rreth vetes rreth 20 mijë punonjës të sektorit dhe  rreth 4.500 gazetarë nga e gjithë bota.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të ketë një stendë në Holet Marriot në kuadrin e Tregut Ndërkombëtar të Filmit, treg që zakonisht organizohet paralelisht me festivalet e mëdhenj, ku producentët, profesionistët e sektorit dhe kineastët kanë rast të njihen e të hedhin bazat e ndonjë bashkëpunimi.

Në seksionin më të rëndësishëm, ai i filmave në konkurrim, më 18 shkurt e ka radhën premiera e filmit  The Forgiveness Of Blood (Falja e Gjakut) i regjisorit Joshua Marston dhe i prodhuar në vitin 2010 falë një bashkëpunimi mes disa shtëpi filmi nga SHBA, Shqipëria, Danimarka dhe Italia. Ndër interpretuesit shquhen Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi e Ilire Vinca Çelaj. Vepra është shkruar dhe prodhuar me bashkëpunimin e një partneri të ri shqiptar, Andamion Murataj i cili ka dhe shtëpinë e tij filmike “Lissus Media”. Me sa dihet filmi është një prej pretendentëve për çmim e rrëfen  një histori gjakmarrjeje, me aktorë shqiptarë e në shqip.

Në seksionin Forumi Ndërkombëtar të festivalit merr pjesë  vepra “Amnistia” e Bujar Alimanit (Shqipëri, Greqi, Francë), filmi i parë shqiptar në historinë e festivalit. Regjisori Alimani ka realizuar filmin e tij të parë me metrazh të gjatë brenda një periudhë shumë të shkurtër (vetëm tre muaj), me buxhet të ulët dhe me një staf të rinjsh. Me përjashtim të dy aktorëve, më i vjetri i ekipit është regjisori 41-vjeçar Alimani i cili prej jeton në Greqi prej vitit 1997. Autori thotë se filmi rrëfen “historinë e dy njerëzve që kërkojnë të moralshmen në atë që nga shoqëria quhet e pamoralshme. Janë karaktere që përpiqen të krijojnë planetin e tyre, me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje". Protagonistët janë një burrë e një grua, që krijojnë një lidhje jashtë martese. Për ta vendi i njohjes është … burgu, atje ku vuajnë dënimin partnerët e tyre zyrtarë e që presin të marrin sa më shpejt  amnistinë.

Edhe seksioni Perspektiva e Kinemasë Gjermane ka një protagonist shqiptar. Filmi Der Albaner (Shqiptari) i regjizorit Johannes Naber ka interpretues kryesor aktorin e njohur  Nik Xhelilaj i cili konsiderohet si nja nga talentet europiane të momentit.