Konferencë në Tiranë mbi 20 vjet emigracion shqiptar në Itali - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
“20 VJET EMIGRACION SHQIPTAR NË ITALI. Të dhëna, përsiatje, njerëz, politika dhe perspektiva të ardhshme” Ky është titulli i Konferencës së organizuar nga INAS, RAT, AGORÀ e FAI CISL, që do të zhvillohet në Tiranë, më 2 mars 2012, ora 9.00 – 17.00, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, bulevardi Gjergj Fishta, nr. 52.

Si paraqitet profili i emigracionit shqiptar në Itali pas 20 vjet emigracion? Sa shqiptarë banojnë e si janë të shpërndarë në territorin italian? Ku punojnë kryesisht? Cila është gjendja civile e shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë? Po ndarja sipas gjinisë? Sa të mitur e pensionistë shqiptarë jetojnë përtej detit? Çfarë bëhet për mbrojtjen e të drejtave të tyre? Cilat janë politikat që ndjek shteti italian në fushën e imigracionit? Po qeveria shqiptare çfarë strategjie po ndjek në lëmin e emigracionit? Çfarë imazhi kanë bashkatdhetarët tanë në Itali? Cilat janë perspektivat e ardhshme të emigrantëve shqiptarë? Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, lidhur me një nga dukuritë më të rëndësishme sociale, do t’u përgjigjen studiuesit, politikanët, gazetarët, diplomatët, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme, pra një sërë autoritetesh të fushës, italiane e shqiptare, që janë ftuar të japin kontributin e tyre në konferencë.

Paneli I – Shqiptarët në Itali: pasqyra e pranisë shqiptare. Përsiatje për politikat migratore

Moderator: Ismail Ademi, RAT – Rrjeti i shqiptarëve në Toskanë
 
Prania shqiptare në Itali: 20 vjet emigracion
Rando Devole, sociolog, ekspert i migracionit dhe i marrëdhënieve ndërkulturore
 
Shqiptarët në mediat italiane, perceptime e stereotipa
Riccardo Staglianò, gazetar i të përditshmes “La Repubblica”
 
Çfarë politikash për imigracionin në Itali
Deputeti Jean Leonard Touadi, Komisioni i Jashtëm i Dhomës së Deputetëve, ekspert i interkulturës
 
Roli i enteve lokale në politikat e integrimit
Stefania Magi, Asesore e komunës Areco për politikat e integrimit e të binjakëzimeve

Paneli II – Politikat e qeverisë e të shoqërisë civile shqiptare në lëmin e migracionit

Moderator: Edvin Kukunja, AGORÀ Shqipëri
 
Strategjia për politikat migratore në Shqipëri
Silvana Banushi, Drejtoreshë e përgjithshme, Drejtoria e politikave të migracionit, kthimit dhe riintegrimit pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
 
Instituti i Sigurimeve Shoqërore në shërbim të emigrantëve
Astrit Hado, Nëndrejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore
 
Roli i Institutit Kombëtar të Diasporës si interlokutor i mirëkuptimit e bashkëpunimit midis diasporës e shtetit shqiptar
Thimi Nika, Instituti Kombëtar i Diasporës, Ministria e Punëve të Jashtme

Paneli III – Perspektivat e ardhshme, bashkëzhvillimi e strategjitë e vlerësimit të praktikave pozitive

Moderator: Franco Tagliarini – Drejtori i Albanianews
 
Projektet e kthimit virtual e real
OIM, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
 
Roli i Patronatit për mbrojtjen e punonjësve migrantë në Itali e në vende të tjera. Përvoja e INAS CISL
Gianluca Lodetti, Drejtor për Koordinimin me Jashtë INAS CISL
 
Emigracioni shqiptar: efekte e pasoja në atdhe
Kosta Barjaba, Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Administrative, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
 
Roli i shoqatave shqiptare në Itali: rasti i Toskanës
Klodian Dervishi, RAT, Rrjeti i shqiptarëve në Toskanë
 
Projektet rajonale të kooperimit të decentralizuar për të miturit
Matteo Giordano, Shefi i Kabinetit të Asesorit krahinor për politica shoqërore në Toskana
 
Përvoja të suksesshme të kthimit të vetëdijshëm:
Mrizi i Zanave – i pari Slow Food në Shqipëri
Kantina e verës Kokomani – historia e një kthimi nga Italia

Konferenca bëhet nën patronazhin e Ambasadës italiane në Tiranë dhe të Ministrisë së Punës, çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta.