Kritika pret ngrohtë filmin Ballkan Bazar të Edmond Budinës - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Romë, 22 qershor 2011 - Më 8 korrik arrin në sallat italiane filmi i Edmond Budinës, Ballkan Bazar. Filmi u prezantua sot për shtypin në kinemanë Quattro Fontane në Romë dhe u prit ngrohtë nga kritika. I pranishëm edhe ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola.

Në konferencën e shtypit pas shfaqjes së filmit u diskutua përveç filmit si vepër artistike, që u konsiderua një tragji-komedi që pasqyron këndshëm dhe me humor realitetin ballkanik, edhe për polemikën që ai ka shkaktuar në Shqipëri. Filmi trajton në mënyrë humoristike një ngjarje të hidhur të ndodhur kohët e fundit, atë të zhvarrosjes së eshtrave të shqiptarëve të rivendosur më pas në varreza të rreme ushtarësh grekë. E gjithë kjo nën ndikimin e interesave të caktuar grekë që kanë pretendime ndaj zonave kufitare jugore të Shqipërisë.

Dhe jo vetëm. Siç shpjegoi vetë Budina në konferencë për shtypin italian, “ajo që rrëfehet në film mbi pensionet greke që marrin shqiptarët është e vërtetë. Është një lloj mbështetjeje e përjetshme, prej rreth 320 eurosh që qeveria greke u njeh të gjithë atyre shqiptarëve që deklarojnë se janë grekë”. E gjithë kjo nuk i ka pëlqyer një pjese të mirë të priftërinjve të kishës ortodokse në Shqipëri që me një letër të hapur drejtuar kryeministrit por edhe ambasadës italiane në Shqipëri, fajtorë për financimin e filmit, nga shpifjet e të cilit ndihen të fyer. Letrës së priftërinjve i janë përgjigjur ndërkaq jo vetëm Budina por edhe artistë, shkrimtarë, intelektualë shqiptarë, që të gjithë në mbrojtje të filmit, që ka pasur numrin më të lartë të shikuesve në të teta sallat kinematografike shqiptare ku ai u shfaq. 

“Filmi im është thjesht një komedi satirike. – thotë sot në takimin me shtypin regjisori Budina – Një mënyrë për të folur për popuj të ngjashëm, me të njëjtat zakone e tradita, siç janë grekët dhe shqiptarët që shpesh gjenden në situata paradoksale. Gjëra si këto që rrëfej në film ndodhin edhe për faj të disa qarqeve nacionaliste greke me pretendime territoriale ndaj Shqipërisë nga viti 1940”.

Filmi i Budinës do të dalë në sallat e kinemave italiane më 8 korrik. Publiku italian e ka njohur Budinën me veprën e tij të parë italiane, “Letra në erë”.