Kyçyku vjen italisht me “I fiumi del Sahara” - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Shtëpia botuese Zandonai ka nxjerrë në treg librin “I fiumi del Sahara, të shkrimtarit shqiptar Ardian Kyçyku, të shkruar në vitin 1986

Kohët e fundit shtëpia botuese Zandonai Editore ka nxjerrë librin "I fiumi del Sahara" e autorit shqiptar  Ardian Kyçyku. Është përkthimi i romanit që në origjinal mban titullin "Lumenjtë e Saharasë" i shkruar nga Kyçyku në rininë e tij, në vitin 1986. Botimi duket sikur mbart në vetvehte një lloj stafete të brezit të ri e më pak të ri të shkrimtarëve shqiptarë. Parathënia është e Elvira Dones e cila nuk ka nevojë për prezantim sepse njihet gjerësisht nga publiku shqiptar dhe ai italian, përkthimi është bërë nga shkrimtarja e re shqiptare Kamela Guza, fituese e edicionit të pestë të konkursit kombëtar Lingua Madre, në kuadrin e Panairit te Librit në Torino.

Ardian Kyçyku ka lindur në vitin 1969 në Pogradec. Pas mbarimit të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, dega gjuhë-letërsi, prej gati njëzet vjetësh është transferuar në Bukuresht. Atje ka botuar në rumanisht me psudonimin letrar Ardian-Christian Kyçyku mbi 20 romane e tekste teatrale,  një pjesë e të cilëve kanë dalë dhe në në shqip. Docent i shkecave humane dhe deklan i Fakultetit të Arteve dhe Shkencave në U.R.S.A. "Gh.Cristea" të Bukureshtit, ai përfaqëson një prej penave më interesante shqiptare e rumune. "Në perandorinë e gurit", "Mortët"," Muza e Lojës" e "Oreksi për bukën e qiellit" janë vetëm disa nga titujt e krijintarisë së tij të gjerë. Me Romanin "I fiumi di Sahara" ai fut lexuesin në klimën e Shqipërisë gjatë viteve të socializmit, në klimën e përgjumtë të një qyteze, atje ku njerëzit ushqehen nga kurioziteti i pamasë, më në sfond konturet e turbulluara nga dëbora dimërore. Edhe publiku italian do të mund të njohë këtë autor që studiuesi Novruz Shehu e  cilëson si kontin e ri të letrave shqiptare, ndërsa Elvira Donës e konsideron romanin e sapobotuar si "një perlë të vogël", "një ftesë bujare drejt bukurisë sublime".