Leon Cino, protagonist i muzikalit "L'Arca di Giada" - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Premierë prestigjioze për muzikalin e parë në 3D "L’Arca di Giada ", i frymëzuar nga libri me titull “L'Arca Di Giada – a Leggenda Delle Terre Incantate", i shkruar dhe i ilustruar nga Daniela Fusco, që do të dalë në qarkullim në shtator të këtij viti. Shfaqja do të jepet për herë të parë më 18 qershor në Romë, në dekorin e mrekullueshëm të Trinita dei Monti në Piazza di Spagna, në kuadrin e edicionit të 17-të të Festës Europiane të Muzikës.

Në trupën e artistëve që do të venë në skenë këtë shfaqje spikasin dy personazhe: shqiptari Leon Cino, balerini klasik, fitues i edicionit të tretë të emisionit "Amici" të Maria De Filippi. Në teatër ai ka qenë protagonist shfaqjesh të suksesshme si “Footloose” dhe “Io ballo”. Dhe abrucezi Piero Mazzocchetti, një artist me hapësira të gjera veprimi që natyrshëm kalon nga lirika tek muzika pop.

"L'Arca Di Giada" do të jetë në turne në të gjithë Italinë nga muaji dhjetor. Për të gjithë të pasionuarit dhe spektatorët kureshtarë që duan të jenë të pranishëm në  “pagëzimin” e muzikalit që mund të ndryshojë vetë mënyrën e konceptimit të shfaqjes teatrale, takimi është të shtunën, më 18 qershor.

Pas shfaqjes në Piazza di Spagna, artistët do të shkojnë në sallën Paolina në Castel Sant'Angelo të shoqëruar nga dhjetë karroca me kuaj. Atje do të mbajnë një koncert akustik.

Çfarë do të thotë muzikal në 3D? Duket se është një përdorim harmonik i teatrit cilësor dhe i teknologjisë, me synim krijimin e emocioneve dhe skenave.

"Risia absolute e muzikalit përfaqësohet nga përdorimi i projektorëve tredimensionalë të brezit të fundit që e bëjnë vënien në skenë shumë të veçantë dhe i japin mundësi aktorëve që të bashkëveprojnë me figura të animuara dhe me personazhe virtuale. Në qendër të rrëfimit është një përrallë romantike  dashurie dhe një udhëtim drejt dijes dhe të zbulimit të vetvetes. Në shfaqje mbizotëron aventura, misteri, dhe gjendesh i përfshirë në pamje fantastike dhe vende surreale".