Marsida Koni sjell muzikën e kompozitorëve shqiptarë në Perugia - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Recital i Marsida Konit që promovon diskun e saj “Historia ime - Shqipëria muzikore nën diktaturën e Enver Hoxhës”.
Koncerti do të mbahet më 19 mars në orën 18.00 në Sala dei Notari të Palazzo dei Priori të Perugia-s

Romë, 18 mars 2014 – Marsida Koni vazhdon koncertet për promovimin e diskut të saj “Historia ime - Shqipëria muzikore nën diktaturën e Enver Hoxhës”, këtë radhë në Perugia qyteti ku jeton prej vitesh.

Nesër, 19 mars, në orën 18.00 ajo do të mbajë koncert në një nga sallat më prestigjioze të qytetit, Sala dei Notari në Palazzo dei Priori. Koncerti organizohet me patronazhin e Komunës së Perugias.  

Disku “Historia ime…”, përmban pjesë të kompozitorëve shqiptarë Pëllumb Vorpsi, Tonin Harapi, Albert Paparisto, Limos Dizdari, Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja e Kozma Lara, tingujt e asaj muzike me të cilën ajo u formua që në fëmijëri. Në recitale, Marsida Koni e ka bërë zakon të paraprijë pjesët që luan, duke thënë dy fjalë për secilin prej tyre, duke i treguar publikut ç’e lidh me ta, gjë që i bën akoma më interesante koncertet e saj, veçanërisht për kë nuk ka njohur Shqipërinë në kohën e diktaturës.

Këtë CD Marsida e ka menduar si njëdhuratë vendit të saj në 100 vjetor të Pavarësisë. “Ishte një premtim që i kisha bërë vetes dhe asaj muzike me të cilën u rrita. Realizimi i një programi vetëm me autorë shqiptarë ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja në sirtar dhe 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë m’u duk momenti më i përshtatshëm për ta bërë realitet” u shpreh rreh dy vjet më parë  për shqiptariiitalise.com kur disku sapo kish dalë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe: Marsida Koni: “Jeta pa muzikë nuk ka kuptim, është si një zjarr pa ngrohtësi”