Në Parmë gratë e ‘Scanderbegut’ festojnë 8 marsin - Photogallery - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Një të diel marsi, shoqata Scanderbeg e Parmës organizoi si çdo vit festën e grave. Një ditë kujtese historike e familjare, zgjimi ndërgjegjeje e sensibilizimi ndaj figurës femërore të pakushtëzuar nga kufiri i një dite të vetme të vitit siç është 8 marsi por në një hark kohe me përmasë vjetore.

Kanë çelur lulet e kumbullës nëpër rrugët e Parmës, ajri ka marrë aromë nektari, mushkëritë e qytetit thithin nostalgjinë e pranverës. Vetë stina e dashurisë mbart impulse ndjeshmërie të thella, mbart kujtime të brishta jete që lindin sythe, mbart rigjenerimin e natyrës. Të vjen natyrshëm të thuash Aromë gruaje si e quan në vëllimin e saj me poezi Alma Papamihali.   

Përgjatë gjithë jetës sime mimoza ka simbolizuar profilin e nënës dhe të gruas. Sa tufa të tilla kemi dhuruar në fëmijërinë tonë. Por mua do të më pëlqente më shumë lulja e diellit. Rrotullohet atje ku është drita, rrezaton si një buzëqeshje nëne mbi fëmijën e porsalindur, si një kristal emocioni mbi faqen e një vajze të dashuruar, si një siluetë gruaje tek ecën nën dritën e hënës pas turneve të lodhshme drejt shtëpisë ku e pret familja. Një luledielli e begatë!

“Më ngjan si një dasmë e madhe kjo mbrëmje”: u shpreh artistikisht fotografja shqiptare Linda Vukaj nga entuziazmi që iu injektua në orët e bukura, në një lokal të thjeshtë të provincës së Parmës, një prej të dielave të këtij muaji  kushtuar gruas shqiptare.

Evenimenti është organizuar  nga shoqata "Scanderbeg" e cila e konsideron këtë festë më shumë se një një ditë argëtimi. Një ditë kujtese historike, kujtese familjare, zgjimi ndërgjegjeje e sensibilizimi ndaj figurës femërore të pakushtëzuar nga kufiri i një dite të vetme të vitit siç është 8 marsi por në një hark kohe me përmasë vjetore. E pranishme në mbrëmje ishte edhe Marcella Saccani, këshilltare përgjegjëse për politikat sociale dhe shanset e barabarta e krahinës Emilia Romagna.

Në mbrëmje ishte e ftuar fotografja Linda Vukaj që u dhuroi të gjithëve emocione me portretet e saj. Një grua me harmoni ngjyrash femërore, buzët e kuqe dhe rreshtin e perlave në qafë, vështrimin lart si ajo luledielli që më pëlqen mua ta quaj gruan, vështrimin lart drejt dritës, me finesën e rezervuar në kënaqësinë që të sjell ndjeshmëria të jesh femërore. Në të gjitha faqet e murit fotot e bukura të Lindës i bënin sfond asaj bufeje të vogël, përreth tavolinave me buqeta mimozash, siç e kërkon tradita e asaj dite. Jeta e marrë ashtu papritur, në sekuencën e shkrepjeve të mbikëqyrura nga syri i kujdesshëm i artistes, që kërkonte të mbërthente me çdo kusht domethënien e dialogut pa fjalë. Dëshmitare e shprehive fluide të së qeshurës, mallëngjimit, emocionit.    

Me thjeshtësi, në një përmasë shumëngjyrëshe, familjet, në të cilat gruaja shpreh padyshim maksimumin e saj, ishin dominueset e mbrëmjes. U fol për ekzistencën e gruas në shoqërinë e sotme, në këtë botë që ka filluar të modifikojë profilin e saj jo më bazuar në kujtesën historike por në atë të konsumizmit sentimental, dashurisë së sëmurë vrasëse. Dhe kronika e zezë ia hedh për ditë petalet në tokë kësaj pranvere.

U fol për poetët që gruas i kanë thurur prelude. Dikush kishte në dorë Pablo Nerudën dhe vargjet e tij ua dedikoj me kënaqësi të gjitha grave: “Nuk i ngjan më askujt që nga çasti që të dua… je si një natë, e heshtur dhe me yje, heshtja jote është prej shkëlqimi, kaq e largët dhe e thjeshtë”.

Nuk mund të mungonin vajzat e shkollës shqipe, me mesazhet e tyre të ëmbla, kushtuar të gjitha grave të pranishme. Një vogëlushe nuk i rezistoi euforisë ngazëlluese të atmosferës dhe me zë të lartë thirri "Të dua shumë nëna ime!".  

Anila Kadija

{gallery}8mars-parma{/gallery}