Nënë Tereza e Hevzi Nuhiut në San Demetrio Corone - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Në San Demetrio Corone, më 8 Korrik 2010 është inauguruar Muzeu i Hapur i skulptorit Hevzi Nuhiu si dhe prezantimi i veprës në gur dedikuar Nënë Terezës.

Ky inaugurim, që bën pjesë në një seri aktivitetesh të planifikuara nga shoqata kulturore “Arbitalia” me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Nënë Terezës kishte mbledhur pasditen e inaugurimit qytetarë te zonës, artistë, admirues e kritikë të artit, docentë universitarë, përfaqësues të shoqatave kulturore etj.

Ishte i pranishëm gjithashtu edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj. Që së bashku me kryetarin e Bashkisë se San Demetrio Corone, Antonio Sposato, zbuloi veprën dedikuar Nënë Terezes (Anjeze Gonxhe Bojaxhiu) të realizzuar nga skulptori kosovar Hevzi Nuhiu.

Për Mjeshtrin Nuhiu, Nënë Tereza nuk është hera e parë që “shfaqet” në serine e portreteve që ai ka realizuar në vite, ku përfshihen figura të shquara të historisë kombëtare. Figura e Nënë Terezës është pothuaj "familjare", mbasi artisti e ka prezantuar edhe herë të tjera, si vepër të realizuar në dru (materiali i tij i preferuar) e tani edhe në gur. Një rimarrje kjo që dëshmon për atë ndjenjë që artistët në përgjithësi provojnë pas përfundimit të veprës së tyre, …sikur diçka ka mbetur e pathënë, e pashprehur e për këtë arsye ndiejnë nevojën e dëshirën të rivizitojnë veprat e tyre duke i risjellë me forma të reja shprehëse.

Në koleksionin e madh të veprave të Hevzi Nuhit historia me ngjarjet e personazhet e spikatura të saj në epoka të ndryshme ka qenë gjithnjë e pranishme, krahas veprave me tematike jo më pak të rëndësishme si ajo e familjes, e rolit të gruas, e natyrës etj. Kështu mund të përmendim skulpturat në dru të dedikuara Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu apo poetit De Rada, skulpturat e emërtuara “Ushtari UÇK”, “Oktapodi”, “Kosova” etj., krahas veprave të tjera me titull “Vizione poetike”, “Familja”, “Figura mesdhetare”, “Meditime” etj.

Këto punime të skulptorit me origjinë kosovare Nuhiu – që prej 1983 jeton në Itali në San Demetrio Corone, – janë paraqitur në shumë ekspozita personale e kolektive brenda dhe jashtë vendit. Me disa prej tyre, ai ka ekspozuar përkrah artistëve të mirenjohur si Guttuso, Treccani, Kodra, Migneco, Spatari, Filosa, Rincicoti, Cersosimo, Canonico, Biffi etj.

Për artin e tij është shkruar në revista të rëndësishme arti si dhe është vlerësuar me çmime si “Premio Calabria Produce” në 1990, dhe Çmimi Ndërkombëtar " Skanderbeg” në 1993, dorëzuar nga vetë Kardinal Tonini Esilio, në ceremoninë e organizuar në Sallën e Pinakotekës së Kampidolios.

Muzeu i Hapur i Mjeshtrit Nuhiu (për më shumë informacione mbi punën e tij vizitoni www.hevzinuhiu.com) në San Demetrio Corone përfshin vepra të shpërndara në zonat urbane të kësaj bashkie e konfirmon aprovimin e kësaj prezence të përhershme që shoqëron jetën e përditshme të banorëve të saj. Një nderim e vlerësim që qyteti i rezervon skulptorit me origjinë kosovare e që dëshmon njëkohësisht edhe sensibilitetin e administratës bashkiake.

Albana Temali, www.albacenter.it