Një trofe i ri për “Amnistinë” e Alimanit - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Tiranë, 20 nëntor 2011 – Një tjetër çmim shtohet në serinë e trofeve për filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit. Kësaj here filmi është nderuar me çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Lisbonë.

Pasi ka marrë një çmim në Berlinale, tre të tjera në Lecce, si dhe ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagën, Danimarkë, “Amnistia” është zgjedhur së fundmi të përfaqësojë kinematografinë shqiptare në konkurrimin për çmimin Oscar në kategorinë e filmit të huaj.  Filmi “Amnistia” i ka dhuruar edhe aktores Luli Bitri çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Vernon në Francë për interpretimin e rolit protagonist të Elsës.

Ngjarjet e filmit zhvillohen në Shqipëri. Reforma e sistemit penal mundëson takimet intime mes të burgosurve dhe bashkëshortëve të tyre, njëherë në muaj. Një burrë dhe një grua, bashkëshortë respektivë të dy të dënuarve, takohen rastësisht jashtë dyerve të burgut. Mes tyre lind një histori dashurie, e destinuar të marrë fund kur bashkëshortët e dënuar lirohen nga burgu falë një amnistie. 

I vlerësuar nga kritika si një film me regji të përsosur, Aministia është dëshmi e dhimbjes dhe tragjedisë që shoqëron gjithë ndryshimet e mëdha të historisë.