Oni Pustina fitues i "Dancing with the stars Albania" - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
E kemi parë model faqeve të revistave, postier në emisionin e suksesshëm italian “C’è posta për te”, aktor në filmin e fundit të Gjergj Xhuvanit dhe deri mbrëmë edhe një nga balerinët VIP të spektaklit shqiptar “Dancing with the stars”. Oni bën më së miri gjithçka merr përsipër. Mbrëmë fitoi kupën e spektaklit dhe çmimin e madh prej 50 mijë eurosh

Romë, 7 maj 2010 - Oni, shqiptari model, siç na pëlqen ta thërrasim, është shpallur fituesi i edicionit të parë të "Dancing with the stars Albania". Oni Pustina dhe partnerja e tij Linda, arritën të siguronin shumën më të lartë të pikëve mes atyre të jurisë dhe atyre të publikut, duke lënë pas dy çiftet e tjera të spektaklit që arritën deri në natën e fundit.

Spektakli që zgjati 12 javë pati si konkurrentë 12 çifte të përbërë nga një balerinë profesionistë dhe nga personazhe të njohura shqiptare, mes këtyre të fundit aktorët Viktor Zhusti, Vasjan Lami, Nik Xhelilaj, humoristi Julian Deda, këngëtarët Eli Fara, Soni Malaj, Genta Ismaili, Roland Hysi, atletja Klodiana Shala, gazetarja Jonida Shehu, modelët Ligia Zacarias, Oni Pustina. Nga të gjithë këta, Oni, herë i ndrojtur e paksa i ngathët, herë i batutës e i shkathët, arriti t’i fitojë zemrën publikut dhe jurisë dhe të fitojë kështu çmimin e madh të këtij spektakli.

Nga nëntori i shkuar, pas përfundimit të edicioni të fundit të spektaklit italian “C’è posta per te”, Oni Pustina jeton më shumë në Shqipëri se në Itali. Atje ndjek kryesisht aktivitetin e tij (ka hapur një ndër butikët më të njohur të rrobave për meshkuj) ndërsa në Itali shpesh kur e thërrasin për t’iu kthyer profesionit të tij të modelit. Në fillim të dhjetorit, bashkë me aktorët e tjerë të filmit “Lindje-Perëndim-Lindje” të Gjergj Xhuvanit, Oni u vlerësua në Festivalin e filmit të Tiranës me çmimin si aktori më i mirë. Ishte përvoja e tij e parë si aktor, e megjithatë u vlerësua qoftë nga publiku qoftë nga kritika. Tre muaj më parë nisi përvojën e tij si balerin me spektaklin “Dancing with the stars”, dhe përsëri u angazhua seriozisht deri natën e fundit, për ta mbyllur me fitimin e çmimit të parë.

"Dancing with the stars" mban patentën e "BBC Word Wide" dhe u soll në Shqipëri nga Vizion Plus e Tring Dixhital. Spektakli mbante regjinë e Vera Grabockës dhe u paraqit nga Alketa Vejziu dhe Genti Zotaj. Ndërsa juria e spektaklit kishte si kryetar një tjetër shqiptar të Italisë, balerini e njohur Ilir Shaqiri, dhe si anëtarë gazetaren Ina Tiço dhe prezantuesin Arian Çani.

Ritransmetimi i mbrëmjes finale mund të ndiqet sot në platformën digjitale Tring e nesër në ekranin e Vizion Plus.

Redaksia Bota shqiptare