“Origjina jonë”{br}Zafina Vasa në Antrodoko, krah Lin Delisë - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
"Le nostre origini" - Zafina Vasa e Lin Delija
Nga 2 deri më 30 gusht 2011
Museo della Città Lin Delija-Carlo Cesi
Corso Roma 9 - Antrodoco (RI)

Nga data 2  deri më 30 gusht 2011,  në Muzeun e Antrodokos, Lin Delija – Carlo Cesi mund të vizitohet ekspozita “Origjinat tona” e realizuar me disa punime të piktores Zafina Vasa, të cilat janë ekspozuar krah veprave të Mjeshtrit Lin Delija (1926-1994) që aty janë në ekspozim të përhershëm.

Ajo që bashkon këta dy  piktorë është e njëjta origjinë, qyteti i lindjes, Shkodra, por edhe pasioni për artin, për pikturën, për të bukurën. Lin Delija (lindur në Shkodër, Shqipëri në vitin 1926) u transferua në Antrodoko në vitet ‘60 dhe qyteti vendosi t’i dedikonte hapësirë veprave të tij në muzeu.

Muzeu i qytetit të Antrodokos, ka lindur në  vitin 2002, nga një sinergji mes enteve publike dhe koleksionistëve private. Qëllimi i tij, ashtu si dhe i muzeve të tjerë është ai i ruajtjes së historisë, për ta kuptuar, për të ekspozuar, vlerësuar dhe komunikuar një pasuri historike-artistike të  krijuar nga veprat e dy artistëve të famshëm, emrat e të cilëve mban.

Muzeu është edhe vendi ku mund të eksperimentohet e ku mund të krijohen “ballafaqime” interesante artistike e shoqërore. Dhe ekspozita e Zafina Vasës është një dëshmi në këtë aspekt. Një dialog mes dy artistëve që  të përbashkët kanë origjinën e tyre të prejardhjes, por rrugëtime të ndryshme në formimin e tyre. Publikut i ofrohet kështu një tjetër “çelës leximi” për këto vepra, që edhe pse përdorin të njëjtën gjuhë, shprehin këndvështrime të ndryshme e gjithnjë me një fokusim te historia, te kultura tek e cila gjenden rrënjët e ku mbështetet identiteti i vërtetë i individit.

Titulli i ekspozitës dhe dy emrat tuaj, na bëjnë të mendojmë jo vetëm për një ekspozitë kolektive por edhe një takim e dialog me publikun. Realizimi i kësaj ekspozite ishte një propozim nga jashtë apo një iniciativë e dëshirë e juaja?

Kam vendosur jo rastësisht emrin tim pranë emrit të mjeshtrit Delija, jo vetëm pse e ftuar në muzeun që mban emrin e tij së bashku me atë të mjeshtrit Cesi por, sepse  kam pasur fatin ta njoh Mjeshtrin Lin Delija personalisht, një vit para vdekjes.

Pra me mjeshtrin Dilaja ndofta ekzistonte një dialog...
E vërtetë. Mjeshtri, atëherë 93 vjeç, nuk ishte mirë me shëndet. Sapo kishte dalë nga spitali, por kjo nuk e pengonte të shprehte madhështinë e tij si person, para së gjithash. Më propozoi të studioja në akademinë e tij në Antrodoko por, duke parë situatën e tij shëndetësore,  nuk m’u duk se ishte çasti i përshtatshëm. Një vit më vonë na la…dhe kjo ekspozitë për mua  paraqet në njëfarë mënyre një lloj takimi, vazhdimin e një dialogu të ndërprerë.

Mund të thuhet që kjo ekspozitë ishte një “ëndërr në sirtar”?  
Ekspozita ishte prej kohësh një ëndërr që më në fund e shoh të realizuar. Ndihem krenare dhe e nderuar të ekspozoj pikturat e mia përkrah kryeveprave të mjeshtrit të madh shkodran.

Siç ndodh shpesh, kur kemi të bëjmë me realizimin e një ëndrre, është e pamundur të mendojmë se mund të realizohet vetëm. Në këtë rast, me siguri kanë qenë dhe persona të tjerë që kanë mbështetur nismën tuaj dhe ju kanë ndihmuar në realizimin e saj. Kush janë dhe ç’rol kanë pasur ?
Natyrisht. Dua të falënderoj përgjegjësin e kulturës së bashkisë të Antrodokos,  Armando Nicoletti, i cili mes të tjerash ka qenë edhe mik i Delisë për shumë vite; profesorin Ardian Ndreca që ka promovuar këtë iniciativë dhe drejtoreshën e muzeut, Desia Vetoli, që ishin  të pranishëm ditën e inaugurimit të ekspozitës më 2 gusht.

Albana Temali – Bologna