Përralla e re e Dhimitër Anagnostit - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Vitet '30. Abazi është një fshatar që jeton në një fshat të Labërisë. Ka grua e mezi pret të bëhet me djalë. Do t'i lindë, do t'ia verë emrin Gjolekë, e kumbar do të zgjedhë Servetin, një bashkëfshatar kurbetli në Amerikë. Me të hedhur pak shtat, Abazi do ta verë të birin të ruajë dhentë e do të përdorë mbi të gjithë dhunën dhe autoritetin e një prindi të sertë. Serveti do të përpiqet ta shpëtojë Gjolekën fëmijë nga dhuna e të atit por ky shpëtimin mund ta gjejë veç te vetja.

E lehtë të krahasosh Gjolekën, djalin e Abazit, me Gjinon e Përrallës nga e kaluara. Të dy filmat e Dhimitër Anagnostit  kanë protagonistë dy fëmijë, të dy të çoroditur në një ambient të rriturish, e që të dy janë viktima të dhunës së prindërve të tyre. Fshati me gjithë elementët e vet, sfond i ngjarjeve dhe jetëve të personazheve të të dy filmave me gati njëzet vjet largësi mes tyre, e bën edhe më të lehtë e gati të detyrueshëm shtrimin e paraleles.

Po, ngjajnë. Por"Gjoleka djali i Abazit" vjen modern duke mbetur i vjetër.

Dhimitër Anagnosti i sjell kinemasë shqiptare një ndër filmat më të mirë të gjithë historisë sonë kinematografike. Asnjë risi: është po ai regjisor, po ajo kamera, po ajo gjuhë narrative e stilistike që i është çmuar edhe më parë Anagnostit, e deri këtu mund të duket paradoksale që pikërisht një film "i vjetër", nga një regjisor konservator të mbërrije të jetë pikë shënjuese e kinematografisë shqiptare. Jo vetëm për modestinë e titujve që ka prodhuar në vite, por sidomos tani, në kohë eksperimentesh, Gjoleka djali i Abazit bëhet i plotë nga përdorimi me kujdes e pa tepri i zejes së vjetër të kinematografit të vjetër.

Megjithë peshën e rëndë që mban në rrethet artistike si "regjisori më i mirë shqiptar", Anagnosti nuk shqetësohet ta sjellë Gjolekën me një gjuhë stilistike të re, ai ruan të njëjat mjete shprehjeje pa patur frikë se kjo këmbëngulje  mund të ngatërrohet me formalizmin filmik. Por ai po përdor një dorë shumë delikate, duke dhënë shprehimi deri edhe poetike. E këtë shprehimi poetike ai e ruan edhe në linjën kryesore, që, sipas disa kanuneve kinematografikë, në filmat dramatikë duhet të jetë e tendosur. Gjoleka djali i Abazit nuk është një film dramatik. Edhe pse titulli ndërkombëtar të bën ta transferosh me mendje linjën e veprimit të filmit në kontrapunktin mes babait dhe kumbarës, ata që mund të përfaqësojnë metaforikisht të vjetrën e të renë, ne shohim filmin që është i  Gjolekës, djalit të Abazit,  dhe që rrëfen jetën e një fëmije në një shoqëri që mbetet e vogël e përpiqet ta mbajë të vogël ndërsa ai kërkon të rritet. Një përrallë lirike, e treguar me imazhe ëmbël e butë, ashtu siç do të rrëfehej me fjalë e veprime rreth një zjarri.

Kritika e brishtë kinematografike shqiptare, për sa mund të quhet e tillë përpjekja për të recensuar një film duke treguar ngjarjen, është edhe munduar të gjejë tek filmi i Anagnostit ato lidhje që do ta bënin këtë film të ishte i kohës, se zhvendosja e ngjarjeve në vitet tridhjetë është vetëm një truk që Anagnosti përdor për të folur mbi të tashmen. Janë ndoshta të shumtë elementët që të bëjnë ta hamendësosh një goditje nga larg të Anagnostit, por i parë në tërësi, ato elementë që lidhin të tashmen me të shkuarën duken rastësorë dhe "meritën" që janë aktualë (rikthimi i temës së mërgimit, krenaria namuzqare e një prindi padron, a të tjera që nuk do t'i shpëtojnë syrit të një shikuesi të vëmendshëm) e ka më shumë tradicionalizmi dhe ecja e ngadaltë e shoqërisë shqiptare sesa hobeja retorike e autorit. I cili nuk përpiqet të gjuajë larg por thjesht të shfaqë në ekran një orë e gjysmë lirizmi kinematografik. Si mjeshtrat e vjetër rusë nga të cilët kokëfortësisht vazhdon t'i hedhë sytë, duke sjellë në ekran një lirizëm të panjohur kaq plotësisht më parë në veprat e kinematografisë shqiptare.

Është ai lirizëm, i paprekshëm, i papërkufizueshëm me teori kinematografike që i ka bërë shumë shikues shqiptarë të lotohen pakuptuar përballlë ekranit e ta konsiderojnë, pa ditur ta teorizojnë pse,  filmin më të mirë shqiptar. Perballja me publikun italian në Medfilm festival përbën vetëm një kureshti. Shikuesi dhe kritiku i huaj nuk do të njohë nëpërmjet filmit të Anagnostit as Shqipërinë e sotme as atë të shkuarën. As do të dijë ta rendisë në vendin që zë ky film në kinematografinë e çoroditur shqiptare. Por padyshim, kush di të shohë, do të njohë dorën e një mjeshtri.

Roland Sejko, tetor 2006

Lexo edhe: Vatra sjell në Torino filmin “Gjoleka, djali i Abazit”

Dhimitër Anagnosti, kinemaja si ndërgjegje