Përvojat personale për t’i thënë Jo dhunës ndaj grave - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Dy poeteshat shqiptare Irma Kurti dhe Lumturi Plaku në Vila Dho Casa Aperta në Seveso

Në kuadër të Ditës Botërore kundër Dhunës ndaj Grave  që përkujtohet në datën 25 Nëntor, Vila Dho Casa Aperta në Seveso në provincën e Monza e Brianza të Lombardisë u hap dyert dy poeteshave shqiptare Irma Kurti dhe Lumturi Plaku për prezantimin e veprave të tyre në gjuhën italiane.

Dita kundër dhunës ndaj Grave, një problem mjaft aktual dhe shqetësues përkujtohet me manifestime të grave në shumë vende të botës si dhe me veprimtari kulturore artistike që i shërbejnë sensibilizmit të opinionit publik për t’i thënë “mjaft” këtij fenomeni si dhe indiferencës që vërehet në situata të ndryshme.

Nuk do të jetë thjesht një promovim librash përmes leximit të pjesëve nga krijimtaria me figurën e gruas në qendër, po mbi të gjitha, dëshmi e eksperiencave të jetës.

Takimi, që do të koordinohet nga Fabiola Sali, aktiviste dhe përkthyese e veprave në gjuhën italiane, do të zhvillohet nesër, në datën 24 nëntor, në orën 18:00 në Vilën Dho Casa Aperta (Via Cacciatori delle Alpi, 3 -  Seveso, MB).