Protagoniste. Gra në emigrim - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Në kuadër të 8 Marsit, Shoqata Juvenilja, nën kujdesin e Komunës Forlì, organizoi: “Festa della donna e creatività”, disa aktivitete me në qendër figurat e tre grave në emigracion: të shkrimtares Irma Kurti, këngëtares e aktivistes Liljana Picari dhe piktores Elona Marika.

Tre gra, që pavarësisht nga vështirësitë që u imponon emigrimi, mënyrat e ndryshme të pasqyrimit të botës e idealeve të femrës, i bashkon me njëra tjetrën dëshira për të kultivuar pasionin dhe në një tokë të huaj. Kjo dëshirë shkon përtej kufijve personalë, në ruajtjen e në përcjelljen e vlerave dhe traditave shqiptare në vendin ku kanë emigruar.

Sipari i veprimtarive u hap me inagurimin më 8 Mars pranë qendrës kulturore L’Urlo, të mostrës “Portret Gruaje” të piktores shqiptare Elona Marika me banim në Piacenza. Kurse të dielën në datën 10 Mars, sërish në mjedisin e kësaj qëndre, të pranishmit do të ndiqnin me interes fragmente të jetës e të krijimtarisë së grave aktiviste.

Takimin e përshëndeti presidenti i shoqatës Juvenilja Endri Xhaferaj i cili falenderoi komunën Forlì pa harruar këtu dhe prezencën e F.A.R.E. (Forumi i Shoqatave Shqiptare në Emilia Romagnia). Ai përmendi gjithashtu disa nga veprimtaritë më të rëndësishme të shoqatës në të ardhmen.

Irma Kurtipoete e shkrimtare me një aktivitet të gjatë letrar, e njohur edhe si autore e suksesshme e shumë teksteve të këngëve nëpër Festivale në RTV, prezantoi librin e saj më të fundit në italisht “Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim). E vlerësuar me çmim të dytë në Konkursin e 26-të Ndërkombëtar “Giovanni Gronchi” 2012 në Pontedera - Pisa, kjo përmbledhje me tregime rezulton në listën e librave më të shitur të shtëpisë botuese Kimerik. Autorja u përqëndrua në tematikën, u lexuan disa fragmente të librit, por u fol dhe për krijimtarinë e saj në përgjithësi. Duke dëgjuar këngë me tekstet e Irma Kurtit, të pranishmit i drejtuan pyetje lidhur me bashkëpunimin me kompozitorë të ndryshëm, vështirësitë reale për të krijuar e për të marrë pjesë në veprimtaritë muzikore të dikurshme e deri në prezantimin e librave të saj në gjuhën italiane.

Liljana Picari, presidente e shoqatës “Integrohemi së bashku”, Cervia, njihet prej vitesh për punën e palodhur në krijimin e shkollës shqipe apo dhe të grupeve të valleve e këngëve popullore. Të pranishmit  ndoqën regjistrime të aktiviteteve të larmishme, të organizuara nga shoqata që ajo drejton, në shumë qytete të Italisë. Më pas Picari u ndal në kontributin e saj si vullnetare si dhe në pengesat që ndesh në tërheqjen e komunitetit shqiptar në këtë veprimtari: periudha e krizës ekonomike që ka influencuar dhe jetën e emigrantëve largon vëmendjen e interesin për t’u angazhuar në mënyrë vullnetare në jetën sociale.

Elona Marika u përqendrua në fillimet e pasionit për të pikturuar që në fëmijëri, nga vizatimet e para të nisura si lojë e deri tek ekspozitat e hapura në qytetin e lindjes, Durrësit si dhe në Piacenza, jeta e saj e ndarë midis familjes e dëshirës për art si dhe përpjekjes për të përballuar të përditshmen në emigracion.

Të pranishmit patën mundësi të shikonin nga afër kuadrot e ekspozuara në mjedisin e qendrës kulturore, atë mozaik dritash e hijesh pas të cilave fshihet melankolia, po edhe këmbëngulja e çdo gruaje për të ecur përpara e për të sfiduar vështirësitë.

Deana Curraj
Shoqata “Juvenilja” Forlì