"Fratelli d'Italia", çmim i dytë për Agim Sulajn - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Është vlerësuar me çmimin e dytë në konkursin “Fratelli d’talia”  vepra e piktorit dhe ilustratorit të njohur shqiptar Agim Sulaj. Konkursi është shpallur nga F.A.S.I - Federazione Associazioni Sarde in Italia (Federata e Shoqatave të Sardenjës në Itali) dhe është një prej aktiviteteve të shumta të organizuara me rastin e përkujtimit, vitin e ardhshëm, të 150 vjetorit të shpalljes së Italisë së bashkuar.

Konkursi ndërkombëtar ishte i ndarë në tre seksione: ilustrim, satirë dhe vepra me tematikë Sardenjën. 485 autorët që kanë marrë pjesë me 1190 vepra vijnë nga 53 vende të botës dhe kanë paraqitur edhe më shumë se një vepër në seksionet e ndryshme.

Agim Sulaj është një prej piktorëve dhe ilustruesve më të njohur në panoramën aktuale. Me banim në Rimini ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të Itali, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg etj.

Në punimet e tij ka shpesh emigracionin në qendër, sepse siç thotë ai vetë "Jemi në një tokë që nuk është e jona. Natyrisht këtu më mungojnë disa pika referimi të Shqipërisë, më mungon qyteti im, zhurma dhe aroma e detit. Por nga ana tjetër, këtu po rrisim fëmijët. Në fund të fundit, toka ime është ajo ku vendos kavaletën. Ndaj Rimini është edhe qyteti im. Në njëfarë mënyre njeriu është emigrant prej natyre. Është gjithnjë në lëvizje. Besoj se ndihet njësoj si unë në Rimini, edhe dikush që shkon nga Vlora të jetojë në Tiranë. 'Shtëpia e emigrantit' është qoftë e imja, qoftë e vlonjatit të Tiranës. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim të madh".

Lexo edhe: Agim Sulaj. Valixhja, shtëpia e emigrantit