"Hera e Parë" e balerinëve shqiptarë vjen në një dokumentar - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Në një dokumentar të shkurtër të përgatitur nga Altin Kaftira para mbrëmjes gala të 9 dhjetor 2013 në Romë, balerinët shqiptarë të spektaklit "Hera e Parë" shpjegojnë pse e dëshiruan kaq fort këtë spektakël dhe çfarë përmban ai.

Më 5 maj 2014 Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Gentian Doda, Erion Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, do të kthehen me “Hera e Parë” atje ku e nisën karrierën e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Bashkë me ta edhe miqtë e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario.

Para spektaklit të dhënë në Brancaccio të Romës, më 9 dhjetor 2013 në Romë, balerinët shqiptarë shpjegojnë pse e dëshiruan kaq fort këtë spektakël dhe çfarë përmban ai. Altin Kaftira i ka përmbledhur intervistat e tyre në një dokumentar.

Ndiqni dokumentarin:

“Duam të vëmë bashkë eksperiencat tona – tregon Anbeta – Vijmë nga vende të ndryshme të Evropës, por njëkohësisht vijmë të gjithë nga një vend i vetëm Shqipëria. Ndaj duam që të paktën njëherë të mblidhemi të gjithë bashkë”.

“Balerinës shqiptarë që kanë bërë emër në skenat e botës janë më shumë se ç’jemi mbledhur sot këtu – thotë Kledi – Na vjen keq që nuk jemi të gjithë këtu, por kjo është vetëm hera e parë…”

“Nga ana artistike është e vështirë që të mbledhësh eksperencat në rryma të ndryshme të baletit të të gjithëve ne në një spektakël të vetëm.  – shpjegon Gentian Doda, drejtuesi artistik i këtij spektakli. - Për t’i dhënë formën e një shfaqjeje u munduam të mos shpërndaheshim në shumë rryma të ndryshme, por të sillnim pjesët tona që shkojnë nga fusha neoklasike te më modernja, duke u mbështetur në atë që kemi të përbashkët të gjithë ne, folklorin tonë. Nuk pretendojmë të bëjmë folklor, por frymëzohemi prej tij dhe e gërshetojmë atë me kulturën evropiane që kemi marrë këto vitet e fundit. Në këtë mënyrë spektakli ynë bëhet i veçantë, origjinal”.

Për Hektor Budllën (Aterballetto), kjo mbrëmje me miq e kolegë prej shumë vitesh larg njëri tjetrit, në mes të Romës është një eksperiencë e veçantë. “Ky teatër sonte nuk është në Romë, ndodhet në Shqipëri” thotë ai.

“Më duket si një darkë shqiptare, si një dolli që derdhet pas vitesh”. “Eksperienca më e bukur që mund të bënim ishte pikërisht një spektakël i tillë, ku të ndajmë me njëri tjetrin eksperiencën e bërë vitet e fundit kur kemi qenë larg”. Kështu e konsideron këtë eveniment, balerini i The Forsythe Company Brigel Gjoka.

Leart Duraku (Ballets de Montecarlo) vë në dukje se “edhe pse prej vitesh larg, kemi rrënjët të futura thellë, shumë thellë në Shqipëri”. Rezart Stafa që vjen nga kompania Cosi Stefanescu thekson: “Edhe pse shkolla jonë nxjerr balerinë klasikë, ne sonte bëjmë balet krejt ndryshe, gjë që do të thotë se jemi integruar më së miri në vendet ku jetojmë. Por jemi të gjithë shqiptarë”.

“Ne mund të bëjmë eksperienca në mbarë botën – thotë Erion Kruja (Hofesh Shechter Company) -  por është herë e parë që mblidhemi të gjithë shqiptarë në qendër të Romës”.

“Në këtë spektakël edhe muzika ka një rëndësi të veçantë për ne. Ka edhe melodi shqiptare gjë që na emocionon përtej baletit – thotë Dorian Grori (Cosi Stefanescu) – Kujtojmë traditat tona dhe kjo është gjë shumë e bukur”.

“Uroj për të gjithë ne që të ketë edhe një Herë të dytë, të tretë, të katërt – thotë anbeta – dëshira e pasioni nuk mungojnë, e kur janë këto gjithçka mund të arrihet”.

“Urojmë që një gjë të tillë ta përsërisim – e mbyll Gentian Doda – dhe jo vetëm jashtë por edhe në Shqipëri”.

E pikërisht kjo ëndërr e balerinëve tanë bëhet realitet më 5 maj 2014 kur do të realizojnë “Herën e Parë” edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)