Romë. Takim i hapur me ministrin Veliaj - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
“Itali-Shqipëri: Drejt një modeli pozitiv të kooperimit shoqëror dhe ekonomik”, takim më 15 maj në orën 17.30 në Sallën Verdi të Vittoriano-s. Organizuar nga Roma Capitale, Ambasada e Shqipërisë dhe i promovuar nga deputeti italian Khalid Chaouki

Romë, 12 maj 2014 – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, që viziton Italinë më 15 e 16 maj, do të mbajë një takim të hapur në Romë. Tema do të jetë “Itali-Shqipëri: Drejt një modeli pozitiv të kooperimit shoqëror dhe ekonomik” dhe në qendër do të jetë emigracioni shqiptar mëse 20-vjeçar në Itali dhe rëndësia e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve. Do të vihet theksi në integrimin e shqiptarëve të Italisë, në sukseset e tyre e në sfidat që kanë përpara jo vetëm ata por edhe institucionet shqiptare e italiane.

Në takim, që do të moderohet nga sociologu e gazetari Rando Devole, do të marrin fjalën:

- Khalid Chaouki, Komisioni i Punëve të Jashtme, Dhoma e Deputetëve;
- Neritan Ceka, ambasador i Shqipërisë në Romë;
- Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
- Marta Leonori, aksesore e bashkisë së Romës;
- Gianluigi Pratola, gjyqtar, drejtues i Misionit  EURALIUS III për përforcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri;
- Ersi Bozheku, avokat penalist në Romë, profesor i të Drejtës Penale në "Sapienza" të Romës, "Pegaso" të Napolit dhe në Universitetin e Tiranës.

Takimi organizohet nga Bashkia e Romës, Ambasada e Shqipërisë në Romë dhe promovohet nga deputeti Khalid Chaouki, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Deputetëve. Do të mbahet në sallën Verdi të Vittorianos (hyrja nga rruga San Pietro in carcere), të enjten më 15 maj në orën 17.30. Kushdo mund të marrë pjesë në takim, por duke konfirmuar praninë e tij me një mail në embassy.rome[at]mfa.gov.al.

Lexo edhe: AssoAlbania organizon takim me ministrin Erion Veliaj në Pistoia