Saimir Pirgu në programin “Loggione” të Canale5 - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Nesër në orën 8.50 të mëngjesit në Canale 5, programi Loggione i dedikohet operës Elisir d'Amore e Donizetti-t vënë në skenë në Teatrin e Operës së Romës, me protagonist tenorin shqiptar Saimir Pirgu

Romë, 4 mars 2011 – Programi i Canale 5 mbi operën “Loggione” që jepet çdo të shtunë në orën 8.50, nesër i kushtohet operës “Elisir d’Amore” që u vu në skenë në Teatrin e Operës së Romës para pak ditëve, me dirigjent Bruno Campanella dhe regjisor Ruggero Cappuccio. Historia e operës së Donizetti-t është një histori dashurie mes të thjeshtit Nemorino dhe Adinës. Kjo e fundit, fillimisht i reziston dashurisë së shprehur nga i riu dhe duket e vendosur të martohet me rreshterin triumfues Belcore. Nemorino, për të fituar zemrën e të dashuruarës, të pijë një çaj magjik (pikërisht Eliksirin e dashurisë). Në kastin e operës edhe Saimir Pirgu në rolin e protagonistit, Nemorino-s, që kur intonon “Una Furtiva lagrima” merr një lumë duartrokitjesh që e detyrojnë edhe ta përsërisë arien.

Opera me dy akte Elisir d'Amore e Gaetano Donizetti-t është pjesë e traditës së operës komike, megjithëse në të nuk mungojnë elementët mallëngjyes dhe sentimentalë. Është vënë në skenë për herë të parë në maj të vitit 1832 dhe është e njohur edhe për faktin se kompozitori ka pasur vetëm dy javë kohë për ta shkruar. Romanca e kënduar nga Nemorino, “Una furtiva lagrima” në aktin e dytë, është kulmi i melankolisë që përshkon operën. Fillimi i saj me harpë e vazhdimi ku mbizotëron fagoti vesh me tinguj të trishtuar tekstin:

Una furtiva lagrima
negli occhi suoi spuntò […]
Si può morir!
d'amor.

Mjeshtëria e Saimir Pirgut del në pah më së miri në interpretimin e kësaj romance, një nga më të preferuarat e Luciano Pavarotti-t. Aq më shumë që ajo konsiderohet një ndër pjesët më të vështira për t’u interpretuar. Por në fund të romancës Saimir Pirgu dëshmoi dhe një herë sigurinë dhe nivelin e lartë që ka arritur. Përveç zërit e ndihmon edhe një prani e ndjeshme skenike, element që e bën atë protagonistin ideal.