Shqipëria në Biennale-n e Arkitekturës në Venecia - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Përzgjidhen 4 projektet fituese që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Biennalen e Arkitekturës në Venecia. Tema e përfaqësimit është “Rijetëzimi funksional dhe estetik i ndërtesave, ndërthurja e historisë dhe traditës me tendencat bashkëkohore në arkitekturë”

Juria e konkursit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në edicionin e 13-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, në Biennalen e Venecias (29 gusht – 25 nëntor 2012), ka përzgjedhur 4 projektet fituese. Mes 11 konkurrentëve u përzgjodhën arkitekti Ilir Voci dhe urbanistja Edvana Vangjeli, arkitektja Enejda Seraj si dhe studentët Brion Basha & Marvi Basha, e Elian Stefa & Gyler Mydyti.

Tema e konkursit ishte fokusuar në “Rijetëzimin funksional dhe estetik të ndërtesave, ndërthurjen e historisë dhe të traditës me tendencat bashkëkohore në arkitekturë”, duke artikuluar koncepte të mundshme arkitektonike dhe teknike për transformimin e tyre në destinacione të mirëfillta turistike.

Çmimin e parë e fituan Ilir Voci dhe Edvana Vangjeli, me  projektin e tyre për rindërtimin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë “Banesa e Patriotit Themistokli Gërmenji”, Korçë. Subjekti ka paraqitur një panoramë të plotë vizuale të restaurimit dhe funksionimit aktual të objektit. Në këtë banesë, të ndërtuar në vitin 1820, ka banuar patrioti Themistokli Gërmenji. Në vitin 1963 objekti është shpallur shtëpi muze, Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Aktualisht restaurimi i objektit ka nisur që në vitin 1996, duke u fokusuar në përmirësimin e kondicioneve strukturore si dhe në rikualifikimin e elementëve specifikë të stilit, si në eksterier ashtu edhe në interier. Ndërhyrja është konceptuar në transformimin e objektit në vilë me funksion kryesor banesë në katin e parë si dhe bar & restorant në katin përdhes.
Përzgjedhja e këtij projekti si fitues në konkurs është bazuar në vlerësimin e cilësisë së ndërhyrjeve konkrete të kryera në objekt. Një nga elementët thelbësore të vlerësimit ka qenë edhe fakti se projekti është i zbatuar dhe filozofia e ndërhyrjes është lehtësisht e dukshme.
Vila “Themistokli” është aktualisht një pikë interesante në qytetin e Korçës, funksioni i së cilës nuk është thjesht shërbim bar & restorant. Praktikisht, vila është një destinacion i mirëfilltë për vizitorin në këtë qytet, në të cilën ai ka mundësi të përjetojë vlerat e traditës korçare në arkitekturë, mikpritje dhe kulinari.

Me çmim u vlerësua edhe arkitektja Enejda Seraj për rivitalizimin e Akropolit të Kalasë së Beratit. Propozimet në këtë projekt janë konceptuar sipas dy momenteve kryesore:
1. Analiza e pëlhurës historike ekzistuese, duke identifikuar zonat e ndërhyrjes apo itineraret e lëvizjes;
2. Rivitalizimi gradual i materialit historik të Akropolit, duke reflektuar periudha të ndryshme historike të tij;
Koncepti i ndërhyrjes propozon “ri-ngritjen” e plotë të gjithë strukturës. Ai është bazuar në lidhjen e strukturës së Akropolit me të gjithë parcelën urbane të Kalasë së Beratit. Duke qenë një strukture urbane në funksion, rijetëzimi i Akropolit ofron një gamë funksionesh plotësuese për të gjithë Kalanë, në mënyrë specifike për konceptin e Kalasë si një destinacion turistik në qytetin muze të Beratit.
E gjithë struktura mbulon një hapësirë prej rreth 8,500 m2 dhe është konceptuar e ndarë ne 4 “Blloqe” specifike. Secili nga blloqet do të ketë një funksion dhe organizim të vetin, por të integruar më së miri me të tërë kompozimin e Akropolit. Në këtë hapësire do të akomodohen shërbime pushimi dhe argëtimi, shëtitore, belvedere, hapësira publike dhe sociale.
Juria vlerësoi konceptin e propozuar dhe në mënyrë të veçantë analizën e bashkëveprimit të Akropolit me Kalanë dhe me qytetin muze të Beratit. Gjithashtu, Juria vlerësoi mjaft pozitivisht paraqitjen grafike të projektit duke reflektuar seriozitetin e konkurrentit në konkurs.

Arkitektët Brion Basha & Marvi Basha, fituan me “Urban Skin”, Mbulesë membrane në hollin e brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar. Projekti propozon krijimin e një strukture transparente në formën e një membrane, e cila mbulon hollin e brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar. Propozimi synon që nëpërmjet një ndërhyrjeje relativisht të “lehtë” të krijojë hapësira multifunksionale në shërbim të Muzeut apo edhe për aktivitete të ndryshme si ekspozita, panaire, koncerte, etj. Struktura përbëhet nga një rrjetë profilesh metalikë të lehtë, mbi të cilën shtrihet një membranë transparente prej polikarbonati.
Juria vlerëson konceptin artistik të propozimit, ndërthurjen funksionale dhe estetike të tij me objektin e Muzeut, ku nëpërmjet strukturës transparente nuk pengohet vizibiliteti i hollit të brendshëm. Struktura lejon depërtimin e dritës natyrale si dhe promovon një mikroklimë të përshtatshme për përdorimin e hollit.

Ndërsa arkitektët Elian Stefa & Gyler Mydyti fituan për idenë e tyre për ripërdorimin e  750.000 bunkerëve shqiptarë. Projekti konkurrues konsiston në një studim të detajuar mbi mundësinë e akomodimit të funksioneve të ndryshme në bunkerët e vjetër ushtarakë të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Studimi merr në analizë llojet e ndryshme të bunkerëve, dhe në varësi të llojit, përmasave dhe vendndodhjes së tyre propozon mënyra të ndryshme ndërhyrëse. I gjithë studimi është bazuar në 4 koncepte kryesore:
1. Rikonceptimi i objektit ushtarak nga një simbol i ksenofobisë së paramenduar në një simbol të mikpritjes.
2. Ruajtja e një kujtimi nga një periudhë e errët por e rëndësishme e historisë së Shqipërisë.
3. Konceptimi i bunkerëve si mundësi ekonomike
4. Promovimi i sektorit të ekoturizmit në Shqipëri.
Propozimet ofrojnë ndërhyrje të lehta plotësuese në strukturat e bunkerëve. Funksionet e reja mund të përfshijnë njësi shërbimi rekreative, dhoma pushimi, kioska informuese turistike, dyqane të ndryshme, suvenire etj.

Juria e konkursit përbëhej nga Gjergj Bakallbashi, Ledia Tota, Elton Qepali, Aurela Sina dhe Genc Përmeti. Kjo e fundit pritet të zgjedh edhe kuratorin përgjegjës për ekspozimin e katër projekteve në “Biennale” të Venecias.