Shqipëria në Panairin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Torino - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Qendra e Kulturës Shqiptare në Itali, në bashkëpunim me shoqatën ‘Pro Albania’, mori pjesë me një stendë të sajën, në edicionin torinez të panairit më të madh italian kushtuar zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, titulluar ‘Fà la cosa giusta!’.

Panairi u zhvillua në Torino në datat 17 dhe 18 Tetor 2015 me rastin e Forumit të tretë botëror të zhvillimit ekonomik lokal, të organizuar nga UNDP, programi për zhvillimin i Kombeve të Bashkuara. 

Stenda shqiptare synonte promovimin e Shqipërisë si destinacion i turizmit të përgjegjshëm, një sektor i ekonomisë së turizmit që po njeh rritje të shpejtë kohët e fundit. Ajo u prit me shumë interes dhe kuriozitet nga vizitorët e panairit, të cilët patën mundësinë të njihen me aspekte të ndryshme të zhvillimit aktual të vendit, si edhe me karakteristikat kryesore të ofertës turistike shqiptare. Stenda u vizitua gjithashtu edhe nga personalitete të botës politike dhe ekonomike italiane, ndër të cilët Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fassino.

Në panair morën pjesë shumë kompani dhe organizata nga e gjithë Italia, me veprimtari në sektorë të ndryshëm si ushqimi, tregtia e ndershme dhe solidale, kozmetika natyrale, moda kritike, botimet, transporti i qëndrueshëm, turizmi i përgjegjshëm, ushqimi vegan, shoqëria civile, etj.