Shqipëria në Sallonin e Librit të Torinos - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Edhe këtë vit në Sallonin ndërkombëtar të Librit në Torino, më i rëndësishmi në Itali dhe një prej më të rëndësishmëve në Europë, do të jetë e pranishme edhe Shqipëria.

Romë, 13 maj 2013 - Nga 16 deri më 20 maj, letërsia e kultura shqiptare e arbëreshë do të jenë protagoniste në Salone internazionale del Libro di Torino me një stand të vetin, që do të inaugurohet më datë 16 në orën 12.30 nga ambasadori i Shqipërisë në Romë, Neritan Ceka.

Protagonistët e hapësirës ekspozuese – e ngritur falë Qendrës së Kulturës Shqiptare – do të jenë autorët bashkëkohorë shqiptarë më në zë, si Ismail Kadare', Anilda Ibrahimi, Ardian Kristian Kycyku, Elvira Dones, Fatos Kongoli, Gezim Hajdari, Ornela Vorpsi, Visar Zhiti, Ylljet Alicka, veprat e të cilëve janë sjellë në treg edhe (apo vetëm) në gjuhën italiane, nga shtëpitë botuese Einaudi, Feltrinelli, Longanesi, Tea, Besa, Controluce, Zandonai o Fandango.

Një seksion i veçantë standit shqiptar i dedikohet letërsisë në gjuhën shqipe, e përfaqësuar nga një përzgjedhje nga fondi i Bibliotekave të Torinos dhe një sërë titujsh të vënë në dispozicion të publikut shqipfolës nga portali Shqiptariiitalise.com i grupit editorial Stranieri in Italia.

Në stand to të gjejnë vend edhe vepra të autorëve italianë kushtuar Shqipërisë.

Një seksion i veçantë do t’i kushtohet kulturës arbëreshë. I ngritur nën kujdesin e shoqatës Vatra Arbëreshë, seksioni do të përmbajë dokumente e libra të sjellë nga Universitti i Kalabrisë, Universiteti Oriental i Napolit, nga Eparkia e Lungros dhe nga biblioteka e komunës Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi)  në provincën e Palermos.

Gjatë pesë ditëve të Sallonit të Librit do të ketë një sërë takimesh me autorët shqiptarë dhe italianë.