Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Shijes në Torino - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Rreth 40 prodhues nga Shqipëria me një stendë të veçantë, por edhe shefi i kuzhinës Altin Prenga që shtroi një drekë, mjeshtri i picës Beniamin Bilali që mbajti një leksion dhe somelierja Daniela Meçaj

Nga 23 deri në 27 tetor u mbajt në Torino Salloni i Shijes, një prej panaireve më të rëndësishëm në botë në fushën e gastronomisë dhe agrobiznesit. Edicioni i këtij viti, që u ndoq nga rreth 220 mijë vizitorë, kishte në qendër mbrojtjen e biodiversitetit ushqimor dhe bujqësinë me përmasa familjare.

Shqipëria qe e pranishme me gati 40 prodhues që sollën në Panair shijet tipike shqiptare. Jufka Dibre e gliko Përmeti, raki rrushi e pije të ndryshme zunë vend në stendën shqiptare ku nuk mungonin as prodhimet e freskëta. Ndërsa gatimet tradicionale si edhe më parë, në këtë ngjarje prestigjoze, i solli shefi i njohur i kuzhinës Altin Prenga. Ai gatoi një drekë që u vlerësua nga specialistët dhe të apasionuarit e kuzhinës.

Altin Prenga, i cili aktivitetin e tij e ka në Fishtë të Lezhës, përmendet për recetat e tij të bazuara në një tradite të trashëguar nga të parët, por të përpunuara e rishikuara plot fantazi.

Shefi shqiptar i kuzhinës ka jetuar dhe punuar për shumë vite në Itali dhe është ai që solli për herë të parë gatimet shqiptare në një prej aktiviteteve më të rëndësishme botërore në sektorin e gastronomisë. Falë tij Shqipëria nisi të jetë e pranishme në Sallonit të Shijes në Torino dhe në aktivitetet më të rëndësishme të gastronomisë në Itali e jashtë saj. Altin Prenga është një prej katër ekselencave gastronomike të zgjedhura nga revista e njohur Vogue Italia sepse bashkon kujdesin e jashtëzakonshëm për cilësinë e përbërësve, respektimin e produkteve stinore dhe traditën e vendit të tij.

Por jo vetëm kaq. 29 vjeçari Beniamino Bilali, me origjinë nga Durrësi e që tanimë konsiderohet një prej mjeshtrave më të shquar në Itali, mbajti një leksion të veçantë mbi përgatitjen e picës, simbolit të padiskutueshëm të kuzhinës italiane.

E angazhuar me Federatën e somelierëve italianë në panair ishte e pranishme edhe Daniela Meçaj, shumë e vlerësuar në profesionin e saj. Është e para grua në Piemonte dhe e para e huaj në Itali që ka fituar në vitin 2012 çmimin Tulipani i Artë, një vlerësim për somelierët që kryejnë mbi 50 shërbime të nivelit të lartë. E lidhur fort me atdheun, vitet e fundit Daniela po përpiqet për njohjen në Itali të verërave shqiptare.

Ja  një album fotografik nga Giancarlo Rocco mbi praninë shqiptare në Sallonin Ndërkombëtar të Shijes në Torino 23-27 tetor 2014:

Dreka e shtruar nga Altin Prenga:

 

Daniela Meçaj: