“Shqipëria nga qielli e thellësitë blu”. Në Romë nga 28 nëntori - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Në Kompleksin Vittoriano të Romës, dhjetë ditë për t’u mrekulluar me bukuritë e Shqipërisë

Me rastin e 102-vjetorit të Pavarësisë dhe të 70-vjetorit të Çlirimit, Agjencia Kombëtare shqiptare e Turizmit do të hapë në Romë, në Kompleksin Vittoriano (Sala Zanardelli, ingresso Ara Coeli), ekspozitën fotografike “Shqipëria nga qielli e thellësitë blu”. Ajo do të përurohet të premten më 28 nëntor në orën 18.30 dhe do të qëndrojë hapur (falas) për publikun deri më 9 dhjetor 2014.

Ekspozita do të përmbajë një sërë fotografish të marra nën ujë apo nga qielli nga fotografët e mirënjohur shqiptarë Alket Islami dhe Ilir Pustina. Janë imazhe të mrekullueshme të siteve arkeologjike e monumenteve të lashtësisë, të Alpeve madhështore e të bregdetit e plazheve, që nga viti në vit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

Në kuadrin e promovimit të ekselencave produktive shqiptare, në sallën Zanardelli do të ekspozohen edhe disa krijime të shtëpisë së modës D-kola, e themeluar nga tre të rinj, shqiptarë të Italisë: stilistja Dorina Kola dhe sipërmarrësit Sonila Alushi e Olger Ashiku. D-kola është një markë mode me identitet shqiptar e shkollë italiane, e specializuar në realizimin e veshjeve dhe aksesorëve për femra. Stili i Dorina Kolës, që mishërohet në koleksionet D-kola, është rezultat i një pune të gjatë kërkimore mbi stofrat e modelet, i kujdesit për detajet, i  zgjedhjeve të bëra duke besuar vetëm në atë që konsiderohet e bukur.

Ekspozita mundësohet në kuadrin e veprimtarive të Bashkisë së Romës “Roma verso EXPO”, një projekt që u ofron 140 vendeve të botës me përfaqësi diplomatike në Romë mundësinë e prezantimit, nga tetori 2014 deri në qershor 2015, të imazhit të tyre, të ekselencave produktive, kulturore e turistike, të projekteve me të cilat do të marrin pjesë në Expo Milano 2015 përmes ekspozitave, këndeve të informacionit, konferencave e pasditeve të degustacionit në disa nga selitë e ekspozitave më prestigjioze të qytetit: Muzeu Ara Pacis, Kompleksi i Vittoriano-s, dhe një hapësirë e krijuar enkas në mjediset e brendshme të Terminalit Ndërkombëtar të Aeroportit të Fiumicino-s “Leonardo da Vinci”.

Disa krijime të koleksionit të modës D-kola, vjeshtë-dimër 2014-2015: