Shqiptarët e Italisë festojnë 99 vjetorin e Pavarësisë - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Ja si do të festojnë në Fermo, Trieste, Boario Terme, Ravenna, Ponte Sangiovanni, Forlì, Pistoia, Parma, Torino, Firence, Milano, Macerata

Përveç iniciativave të mëdha, edhe disa ditore, në qytete si Parma, Torino, Firenze, kush me festime në shesh e kush me një darkë, shoqatat në mbarë Italinë përgatiten të festojnë festën kombëtare.

Shoqata Skanderbeg e Fermos do të festojë si çdo vit në sheshin Skënderbeu. Të dielën, më 27 nëntor, në orën 10.00, shqiptarë, autoritete vendas, përfaqësues të shoqatave të komuniteteve të ndryshme e banorë të qytetit do të mblidhen në shesh për të festuar me muzikë shqiptare (i ftuar një grup muzikantësh shqiptarë nga Maqedonia që jetojnë në Itali) të shoqëruar nga kuzhinë tipike shqiptare.

Shqiptarët e Ravennas kanë zgjedhur të festojnë bashkë me komunitetin rumun. Shoqatat Nënë Tereza dhe Romania Mare do të organizojnë dy ditë veprimtari për të festuar qoftë 28 nëntorin, qoftë 1 dhjetorin, Festën kombëtare të Rumanisë. “Kemi vendosur të festojmë së bashku për të vënë në dukje vëllazërimin e bashkëpunimin mes dy komuniteteve tona në territor” shpjegon kryetari i shoqatës Nënë Tereza, Arijon Abdyli. Të shtunën, në orën 17.30, në Qendrën sportive Trieste (via Tommaso Gulli 140) do të zhvillohet një ndeshje futbolli mes përfaqësive të dy komuniteteve. Ndërsa të dielën, në orën 14.30, në qendrën ndërkulturore Valtorto (via Faentina, 216) do të mbahet tavolinë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e aksesores komunale për Imigracionin Martina Monti, ish aksesorit komunal për Imigracionin Ilario Farabegoli, kryetarit të shoqatës Agimi, Anteo Malvasio dhe kryetaren e shoqatës Integriamoci Insieme, Liliana Picari.

Shoqata ASAT e studentëve shqiptarë të Triestes, këtë vit feston Pavarësinë të shtunën më 26 nëntor në orën 20.00 (Via della Ginnastica, 47, Trieste). Me mbrëmjen “Albanian Party Vol. 4”, në të cilën janë të ftuar përveç studentëve edhe familjet shqiptare të qytetit. “Bëhemi rreth 100 vetë – thotë Arlind Doberdolani i shoqatës ASAT - Do të kemi mundësinë të shijojmë disa nga ushqimet tona tradicionale dhe të kërcejmë nën ritmet e muzikës sonë të bukur shqipe”.

Po të shtunën në mbrëmje do të festojnë për të gjashtin vit rresht edhe shqiptarët e shoqatës Shqiponja në Boario Terme me atë që quajnë “darkë festive me muzikë, këngë dhe valle popullore shqiptare”. Do të mblidhen në orën 20.00 në hotelin “Capriccio Azzurro” (Via Roccole, 17, Boario Terme).

Shoqata Iliria në Ponte San Giovanni fton të gjithë shqiptarët për të shtunën në orën 20.30 në C.V.A. (Via della scuola, përballë Terranova) dhe premton “muzikë tradicionale, valle popullore dhe pjata tipike të kuzhinës shqiptare, si edhe shumë dëshirë për të festuar së bashku”.

Shoqata Juvenilja në Forlì, ka zgjedhur të festojë të mërkurën më 30 nëntor, në Naima Club (via Somalia 2, Forlì). Edhe ata me këngë e valle tradicionale shqiptare, duke filluar nga ora 19.30.

Shqiptarët e Pistoias mund të festojnë përvjetorin e Pavarësisë të dielën më 27 nëntor në Teatrin e Arci Cral Breda (via Ciliegiole 77, Pistoia). Mbrëmja nis në orën 20.00 e me darkën shqiptare për të vazhduar me projektimin e filmit Nëntori i Dytë dhe për t’u mbyllur me muzikë, këngë e valle shqiptare.

{gallery}pavaresi-2011{/gallery}

Festimet në qytete të tjera: Torino - Albania, vent’anni dopo
 

 

embed video plugin powered by Union Development