Skulpturat e Tavanxhiut në Brescia - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Nga 9 deri më 20 maj në Comezzano Cizzago në Brescia do të zhvillohet një takim ndërkombëtar i skulpturës në mermer. Në të do të marrin pjesë gjashtë artistë nga vende të ndryshme të botës e veprat e tyre do të vendosen në një rrugë të qytetit.

Pjesëmarrësit janë Genti Tavanxhiu, Aktham Abdul Hamid, Miguel Isla, Damjan Komel, Francesco Panceri dhe Hwang Seoung-Woo.

Artistët do të gdhendin një bllok mermeri e do të krijojnë seicili një vepër me temë “Identitet dhe ballafaqim: ballafaqimi si mjet për forcimin e identitetit”. Ndërsa skulptorët do të punojnë është e mundur të asistohet çdo ditë nga ora 10 deri në orën 12 dhe nga ora 16 në orën 18.30.

Skulptori shqiptar Genti Tavanxhiu ka  lindur në Shkodër në vitin 1973 dhe shumë i ri është transferuar në Itali. Megjithëse është specializuar në pikturë, ai njihet kryesisht për veprat e tij në skulpture. Monumente të tij, përveç se në qytete të ndryshme të Italise, janë vendosur edhe në Shqipëri,Gjermani, Spanjë, Hollandë, Zvicer, Japoni, e Kinë. Renzo Margonari, një kritik i njohur arti shkruan se “në veprat e tij Genti Tavanxhiu bashkon traditën e njohur të vendit ku është vendosur me vlerat e lashta të vendit nga vjen, ende jo i njohur sa duhet në këto anë të Europës”. Një ndër vera më të njohura të skulptori shqiptar është amboni në Kishën Reginas Pacis në Rieti. Është një engjëll që shkëputet nga bazamenti, një engjëll qe duket se sapo ka rënë nga qielli me një ungjill në dorë. Plasticiteti i linjave dhe i formave, ka sjellë nota moderniteti në një temë kaq klasike të traditës së krishterë.