‘Spartiti per Scutari’, koncert në Bagnacavallo - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Të premten më 24 shtator, në orën 21.00, orkestra Spartiti per Scutari e drejtuar nga fizarmonicisti Bardh Jakova do të japë koncert në Piazza della Libertà në Bagnacavallo të provincës së Ravenës, në kuadrin e festës së San Michele-s

Kthehet nga 24 deri më 29 shtator në Bagnacavallo, Festa e San Michele-s, një mundësi për t’u njohur me pasurinë historike artistike, bukurinë e peizazhit, gastronominë e qytezës së provincës së Ravenës. Ajo e San Michele-s është festë antike, që në edicionin e këtij viti do të ketë për temë “Një botë e re mes historisë dhe të sotmes” dhe do t’i dedikohet tematikave të mërgimit. Gjatë javës festive parashikohen muzikë, ekspozita, paraqitje librash, takime, rrëfime dhe shijime ushqimesh tipike.

Spartiti per ScutariMes spektakleve që do të jepen gjatë atyre ditëve në Piazza della Libertà, do të jetë edhe ai i orkestrës Spartiti per Scutari. Rreth 25 orkestrantë e këngëtarë italianë, të gjithë të rinj me pasionin për instrumentet muzikore e muzikën popullore, që nën drejtimin e fizarmonicistit Bardh Jakova dhe të violinistit Gioele Sindona luajnë dhe këndojnë këngë popullore shqiptare. I lindur fillimisht si laborator e i rritur dalëngadalë në numër, sot orkestra jep koncerte në evenimente të ndryshme të organizuara në Emilia Romagna. Me një program të pasur me këngë e muzikë shkodrane, dhe jo vetëm, të rinjtë dëfrehen dhe emocionojnë e kënaqin publikun e tyre, italian e shqiptar. Mjafton të dëgjosh edhe vetëm një interpretim të tyrin që të të bëjnë për vete.

Vizitoni faqet e Orkestrës "Spartiti per Scutari"

Lexo edhe: Laboratori "Spartiti per Scutari" i Bardh Jakovës

Bardh Jakova, i pari shqiptar i diplomuar për fizarmonikë në Itali