“Të kam lënë malin”, Shqipëria në Bienalen e Arkitekturës në Venecia - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
Shqipëria do të paraqitet me projektin “Të kam lënë malin”, në ekspozitën e 15-të Ndërkombëtare të arkitekturës në Bienalen e Venecias, që do të mbahet nga 28 maji deri 27 nëntor 2016.

I kuruar nga Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe kolektivi dizenjues Åbäke, pavijoni shqiptar, që do të jetë në Arsenale, i përgjigjet temës “Raportim nga Fronti” të kuratorit të Bienales Alejandro Aravena, duke paraqitur një gjendje që ka përcaktuar thurrjen urbane të Shqipërisë: arkitektura e zhvendosjes dhe migrimit. 

Kuratorët e pavijonit shqiptar kanë porositur tekste origjinale rreth arkitekturës së zhvendosjes nga shkrimtarë, poetë e krijues të skenës ndërkombëtare: poeti Etel Adnan, poeti Mourid Barghouti, shkrimtari Michel Butor, artistja Claire Fontaine, arkitektja Yona Friedman, artisti Anri Sala, antropologu Michael Taussig, ekonomisti Yanis Varoufakis, shkrimtarja Ornela Vorpsi dhe urbanisti Finn Williams. Tekstet interpretohen nga këngëtarët më të mirë iso-polifonikë shqiptarë. Këngët do të dëgjohen në pllaka gramafoni 30 cm, të cilat do të luajnë gjatë gjithë kohëzgjatjes së Bienales së Venecias si një instalim tetë-kanalësh.

Katër grupe kanë kontribuar me talentin e tyre muzikor dhe krijues për të realizuar këtë inçizim të veçantë:

- grupi nga Fieri udhëhequr nga Shaban Zeneli, me: Petrit Canaj, Llazar Dumi, Kastriot Halihoxha, Nesim Meno, Muharrem Mezani, Guri Rrokaj, Fatmir Tahiraj;
- grupi ‘Bilbili’ nga Vlora, organizuar nga Sejmen Gjokoli, me: Adriatik Genko, Viktor Gjoka, Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj, Piro Latifaj, Dejrim Muhafaraj, Trifon Mulaj;
- grupi nga Tirana me: Dhurim Ballo, Sotir Ballo, Nazo Celaj, Trifon Golemi, Mehmet Vishe, Hyso Xhaferraj;
- grupi i grave nga Himara, me: Luljeta Çipa, Valentina Gerdhuqi, Violeta Gerdhuqi, Zaharulla Koka, Polite Merkuri, Eglanda Prifti, dhe Vojsava Zenelaj, organizuar nga Kristo Çipa.

Pavijoni shqiptar në Venecia do të shndërrohet në një hapësirë ​​dëgjimi kolektiv.

"Të kam lënë malin" hap bisedën lidhur me urbanizmin e emigrimit, duke projektuar çështjen shqiptare në skenën ndërkombëtare, me qëllimin e qartë për t’i kthyer dialogun dhe variacionet mbi të, sërish në Shqipëri. 

Kuratorët e pavijonit shqiptar

Simon Battisti është  arkitekt që punon në Tiranë,  teza Fulbright e të cilit solli një studim mbi familjen, (në kundërvënie me bankat)  si institucioni kryesor i financave ndërtimore në Shqipëri. Ai është bashkëthemelues i gazetës së studentëve të dizajnit të Harvardit “Very Vary Veri”. Ka punuar në zyra të dizajnit në Los Anxhelos, New York dhe Mumbai.

LeahWhitman-Salkin është zëvendës drejtoreshë e Revistës së Dizajnit në Harvard dhe ish botuese e Shtypit Sternberg. Ajo ka kontribut në revista botërore dhe ka organizuar një sërë eventesh në fushën e artit, arkitekturës dhe urbanizimit.

Åbäke është një ekip transdisiplinor me qendër në Londër që e ka nisur punën që në vitin 2000. Studioja ka publikuar dhe incizon e publikon muzikë edhe përmes zyrës së tyre në Paris. Ka pasur bashkëpunime në zë edhe me grupe me famë botërore si “Daft Punk” dhe “The Cardigans”.